Ndërkombëtarët: Mbyllni 3 qendra
paraburgimi, s'kanë kushte

Ndërkombëtarët: Mbyllni 3 qendra<br /> paraburgimi, s'kanë kushte
TIRANE- Tre qendra paraburgimi, ajo në Kukës, Sarandë dhe Berat duhet të mbyllen urgjentisht pasi janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa të gjitha qelitë e tjera të paraburgimit janë të mbipopulluara.

Ky është konkluzioni i raportit mbi monitorimin e burgjeve, realizuar nga Instituti Europian i Tiranës.

Drejtoresha ekzekutive e këtij instituti, Marta Onorato, kritikon edhe mungesën e psikologëve në këto sisteme paraburgimi.

“Kemi sugjeruar edhe mbylljen e disa prej këtyre institucioneve, pasi nuk kanë nivelet dhe kushtet e mjaftueshme për të siguruar dinjitetin njerëzor. Amortizimi i infrastrukturës, lagështira, kushtet jo të përshtatshme, banjat, dushet, nuk sigurojnë higjienën personale të mjaftueshme. Kujdesi ndaj shëndetit mendor nuk është e mjaftueshme për shkak të një numri të kufizuar të psikiatërve brenda burgjeve. Për gjithë sistemin kemi rreth 3 psikiatër”, thotë Marta Onorato

Për reformat në burgje ka folur sot edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, i akredituar në Tiranë dhe Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Sipas ministrit, po shkohet drejt privatizimit të sistemit të burgjeve.

“Ne synojmë që të fillojmë ndërtimin e një burgu privat me rreth 300 të dënuar të sigurisë së ulët, që vuajnë dënime deri në 5 vjet. Kapaciteti do të jetë deri në 300 persona”, tha Halimi.

Ndërsa Ambasadori britanik në Shqipëri, Cannon tha se “Ushqimi mund të sigurohet më mirë nga sektori privat. Po kështu, objektivi ambicioz përfshin menaxhimin e burgjeve nga kompani private”.

Sipas raportit të publikuar sot, në burgjet shqiptare ka rreth 2856 të dënuar dhe 1,796 të paraburgosur.

REAGIMI PER KUSHTET NE PARABURGIM, DOBI: PO HAPIM INSTITUCIONE TE REJA

Ministria e Drejtësisë ka reaguar për kushtet në paraburgime dhe masat e marra deri më tani në këtë drejtim, pas deklaratave të bëra nga Drejtoresha Ekzekutive e Institutit Europian të Tiranës. Sipas saj ka mungesë të kushteve të përshtatshme në disa paraburgime të vendit. Sipas ministrisë së Drejtësisë “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me ndihmën dhe mbështetjen financiare të delegacionit të BE-së ka marrë vazhdimisht masat për përmirësimit të infrastrukturës në burgje dhe paraburgime, me qëllim përmirësimin e trajtimit të të burgosurve dhe të paraburgosurve sipas standardeve më të mira europiane”.

Në reagimin e zëvendësministrit të Drejtësisë, Ermal Dobi thuhet se “Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit ka përfunduar dhe ka vënë tashme në efiçencë paraburgimin e Elbasanit, me kapacitet 120 të paraburgosur. Ndërkohë paraburgimi aktual i Beratit po shkon drejt mbylljes, pasi brenda tre muajve përfundon ndërtimi i paraburgimit të ri të Beratit me kapacitet prej 100 të paraburgosurish.

“Paraburgimi dhe Burgu i Fierit, përfundon në Nëntor të 2013-ës, kapaciteti 180 te paraburgosur dhe 600 te burgosur; Paraburgimi dhe Burgu i Shkodrës, inaugurohet fillimi i punimeve pas dy ditësh me kapacitet 120 të paraburgosur dhe 600 të burgosur, duke bërë të mundur përmirësimin në maksimum të trajtimit dhe rehabilitimit të dënuarve.”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se “Paraburgimi i Kukësit do të mbyllet shtator dhe te paraburgosurit do të transferohen në paraburgimin e Tropojës i rikonstruktuar. Ndërsa paraburgimi i Sarandës mbyllet në fund të vitit dhe të paraburgosurit do të transferohen në paraburgimin e Tepelenës”.

Zv.Ministri Dobi thekson se “hapja e Institucioneve të Reja të Vuajtjes së Dënimit është një tregues i seriozitetit tonë, jo vetëm në mbajtjen e premtimeve të dhëna, por mbi të gjitha në përqafimin e standardeve më të mira eUropiane në sistemin e drejtësisë. Me përfundimin e tyre zgjidhet përfundimisht çështja e mbipopullimit ne sistemin penitenciar.”

Në reagim thuhet se këto sisteme paraburgimi janë së standardeve më tumira dhe sipas kritereve të përcaktuara për vendet e BE-së.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G