TIRANE - Fatjon Skënderi i përfolur si një nga ndërmjetësit e atentatit të pretenduar ndaj deputetit të Shkodrës, Tom Doshi, është një emër i njohur për drejtësinë në vend. Në tetor të vitit 2005, ai u arrestua nga policia bashkë me Gjergji Dervishin, si pjesëtarë të një rrjeti të trafikimit të heroinës nga Turqia me destinacion vendet e BE-së. 

Ata u arrestuan në ambientet e “Truck Servis”, që ndodhej në afërsi të mbikalimit të Kamzës në Tiranë, ndërsa në operacionin ndërkombëtar, të zhvilluar në Bullgari, Turqi e Shqipëri, në tri ngarkesa të ndryshme, autoritetet kishin bllokuar 120 kilogramë heroinë që synonte të shpërndahej kryesisht në Itali, Gjermani, Spanjë e vende të tjera të BE-së. 

Në tri ngarkesa të ndryshme, atyre u janë kapur sasi droge që varionin nga 30 deri në 50 kilogramë heroinë e pastër. Duke u bazuar në këto sasi droge kanë nisur edhe hetimet e prokurorive të pesë vendeve të ndryshme, përfshi edhe Prokurorinë për Krimet e Rënda. 

Një hetim i gjerë që ka zgjatur për muaj me radhë bëri që në pesë shtete të grumbulloheshin prova dhe fakte që përfshinin këta persona në këtë linjë të trafikut të drogës. Në atë kohë, pas operacionit, policia arrestoi në Bullgari, Itali dhe Turqi, korrierë të heroinës. Nga hetimet e kryera në Shqipëri, prokuroria pas operacionit, pati deklaruar se në vendin tonë rolin kryesor në këtë trafik e kishin Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderi. Sipas pretendimit të prokurorisë në atë kohë, ata rezultonin të ishin të përfshirë në rrjetin e trafikimit të lëndës narkotike.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)