GJKKO ka shpallur fajtor Ylli Barutin, i akuzuar për korrupsion ndaj funksionarëve publikë lidhur me zgjedhjet e vitit 2019, duke e dënuar me 1 vit e 6 muaj burg. Në përfitim nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit burgim. Gjithashtu gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit duke rezultuar në shërbim prove prej 2 vitesh.

Vendimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 100, i vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Ylli Baruti, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 224 i Kodit Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43, të vitit 2021 dhe neni 25 i Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Besmir Stroka dhe Etleva Deda, me vendimin nr.26, datë 30.03.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ylli Baruti për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, 25 i K.Penal, para ndryshimeve të bëra me ligjin nr. 43, të vitit 2021 dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim.

2. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, ulja e 1/3 së dënimit me burgim dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Ylli Baruti me 1 vit burgim.

3. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Ylli Baruti dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 2 vitesh, dyfishi i masës së dënimit.

4. Urdhërohet i pandehuri Ylli Baruti të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës, të mos shoqërohet me persona të dënuar.

5. Shpenzimet hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të të pandehurit.

6. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, duke filluar afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.

Sipas hetimeve të SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Baruti, Dritan Stoka, asokohe zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re në Sauk dhe Alqi Hajdini, ish-jurist, kërkonin nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.

Ata u zbuluan pas përgjimeve, përmes së cilave SPAK u shpreh se ka arritur të faktojë që në këmbim të parave kishin ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të të paktën 4 personave.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.