Studimet shqiptare në zhvillim dhe kontributet në rritje në fushën e kulturës janë përmendur mes të tjerash nga poeti, shkrimtari dhe studiuesi Sabri Hamiti në një ceremoni të veçantë, ku u vlerësua vepra dhe kontributi i tij. Hamiti shprehu shqetësim për tendencën e shkrimit në gjuhë të tjera.
“Studimet shqiptare janë në zhvillim, sidomos në dy dekadat e fundit. Por sot ka një prirje që të shkruhet në gjuhë të tjera. Historikisht letërsia jonë është shkruar edhe jashtë shqipes, por sot nuk ka nevojë. Po bëhet një plan prishjeje krijimtare, po e quaj unë, krijimtare e shqipes.”, - tha ai.
Hamiti, i cili u nderua me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, vuri në dukje rëndësinë e kësaj dite për të, duke shmangur komentet politike dhe duke e përqendruar vëmendjen tek krijimtaria.
“Sot jam nderuar për punën që kam bërë në veprimtarinë krijuese. Kjo është dita për të folur për kulturën shqipe. Komentet politike nuk është vendi t’i bëjmë këtu.”, - vijoi studiuesi.
Me modesti, shkrimtari nuk foli gjatë për veprën e tij, duke thënë se vlerësimet flasin për kontributin e tij në kulturën dhe letërsinë shqipe.
“E konsideroj një nga nderimet më të mëdha që kam marrë për punën dhe krijimtarinë time deri tash. Një nga nderimet më të mëdha që më është bërë.”
I pyetur për njerëzit që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e tij krijues, ai tha se është e pamundur t’i përmendë të gjithë, por theksoi se disa prej tyre janë figura që qëndrojnë në themelet e kulturës kombëtare dhe letrare shqiptare.
“Kam përmendur disa prej tyre edhe në fjalën time. Janë njerëz që janë në themelet e kulturës sime nacionale dhe letrare.”, tha Hamiti.
Në fjalën e tij, Hamiti përmendi njohjen dhe ndikimin që kanë pasur në rrugëtimin e tij emra, si Ibrahim Rugova apo At Zef Pllumi e të tjerë.
Poet, shkrimtar e studiues, Sabri Hamiti është një ndër autorët më përfaqësues të letërsisë e kulturës shqiptare. Kontributi i tij shtrihet në dhjetëra vepra letrare dhe studimore, ndërkohë që ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës në shtatë legjislatura (në vitet 1992-2017), nënkryetar i Kuvendit dhe mënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008.
Komente




