Ndërprerja e vetting-ut për punonjësit e thjeshtë të Policisë së Shtetit konsiderohet e drejtë nga pjesa më e madhe e tyre. Në filtër do të jenë vetëm ata që do të marrin poste të larta në polici. Ministria e Brendshme sheh të arsyeshme se gradat e ulëta nuk kanë nevojë të filtrohen. Sipas kreut të Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, ky ishte gabimi i parë që u bë që në fillim me miratimin e ligjit, i cili çoi në vonesa të shumta, deri në anulim.

 “U rikthyen edhe njëherë tek ato kritikat që kemi bërë ne që në daljen e ligjit për vetting-un. Që atëherë parashikuam që personali i policisë i nivelit zbatues nuk duhet të merrte pjesë. Numri relativisht i lartë dhe natyrisht do të angazhoheshin shumë struktura për të kaluar këtë personel”, thotë Fishta.

Fishta konsideron se vetting-u tek drejtuesit duhet të vazhdojë pasi efekti i korrupsionit tek ata është shumë më i lartë se tek punonjësit e nivelit zbatues.

 “Korrupsioni në nivele të ulëta normalisht është më i ulët se në nivelet e larta. Edhe pasoja që sjell një korrupsion në nivel të ulët me atë të një drejtuesi policie në nivel të lartë. Me hyrjen e vetting-ut patjetër u krijua një presion tek punonjësit e policisë, sidomos tek ata të nivelit zbatues”, deklaroi Fishta.

Hetimi për të gjitha rastet e dyshimta të shpërdorimit të detyrës tek punonjësit e nivelit zbatues mund të bëhet nga SHÇBA-ja, strukturë e cila në njëfarë mënyre pastron rastet e shkeljes së ligjit nga policët.

 “Vetë strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme kanë pasur detyra funksionale në lidhje me hetimin e rasteve kur një punonjës policie shkel ligjin. Kjo strukturë ka ekzistuar dhe ka pasur të gjitha mundësitë të hetoj e të marrë masa”, përfundoi drejtuesi i Sindikatës së Policisë së Shtetit.

Me ndryshimin së shpejti të SHÇBA-së në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore rriten përgjegjësitë, ndërsa synohet hetim më i thelluar për të gjitha rastet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në polici. Puna e AMP-së në këtë drejtim eviton vetting-un për punonjësit e thjeshtë.