Marrëveshja e arritur përfshin bashkëpunim midis njësive vendore të sipërpërmendura, policisë dhe shoqërisë, në fushatën e ndërmarrë për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes.
Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike është shoqëruar me protesta të banorëve, në Kombinat gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme ndërsa në Shkodër, banorët kanë dalë mëngjesin e sotëm në protesta duke tentuar të futen brenda nënstacionit elektrik, me pretendimin se janë pagues të rregullt të faturave. Nga ana e saj CEZ ngre pretendimin se energjia ndërpritet për shkak të lidhjeve të jashtëligjshme.
Lidhur me këto veprime CEZ njofton se Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar masa të reja penalizuese kundrejt abuzuesve, ndërsa thekson: “Të gjithë ata klientë debitorë që do të vazhdojnë të injorojnë detyrimet për pagesat e faturave të energjisë dhe furnizohen me energji në mënyrë të paligjshme, do të kallëzohen nga kompania për ndjekje penale.”
“Sikurse është denoncuar gjatë gjithë kohës nga CEZ-Shpërndarje, këto lidhje të paligjshme përveçse shkaktojnë defekte të rënda dhe dëme të mëdha në rrjet, duke lënë zonat respektive pa energji, ulin cilësinë e furnizimit me energji për klientët dhe gjithashtu, duke qenë jashtë të gjithë kushteve teknike, rrezikojnë edhe jetën e vetë banorëve. Në kuadër të fushatës për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, nëpërmjet të cilave vidhet energjia duke shkaktuar edhe dëme te pallogaritshme në rrjet, CEZ Shpërndarje njofton se që prej 1 Gusht 2012 të këtij viti, kanë hyrë në fuqi masa të reja penalizuese për abuzuesit, të aprovuara nga Enti Rregullator i Energjisë me vendim numër 109, siç edhe tregon tabela e mëposhtme, të cilën kërkojmë të vëmë në dispozicion të të gjithë publikut”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të kompanisë CEZ.
TABELA E PENALIZIMEVE NE RAST ABUZIMI
Ndërkaq, mëngjesin e sotëm, banorët e komunës Paskuqan në Tiranë, protestuan gjithashtu për mungesën e energjisë elektrik. Ata bllokuan përreth një orë rrugën që lidh këtë komunë me qendrën e Tiranës. Por në marrëveshjen e bërë publike nga CEZ-Shpërndarje, komuna e Paskuqanit nuk është përfshirë si pjesë e saj. Në një prononcim për televizionin A1Report, burime nga CEZ u shprehën se në Paskuqan ndërprerja e energjisë elektrike është si pasojë e djegies së transformatorit.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)