TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë vendos të gjobisë CEZ- shpërndarje me 4 milionë euro për ndërprerjet kolektive të energjisë në dëm të konsumatorëve. Vendimi i marrë sot nga ERE ka të bëjë me gjobitjen e CEZ me 1. 11 % të xhiros vjetore. Sipas ERE xhiroja vjetore e CEZ për 2011 ishte 350 milionë euro, dhe nga përllogaritja e gjobës, i bie që CEZ duhet të paguajë 4 milionë euro.

ERE deklaroi sot se CEZ ka shkelur kontratën duke bërë ndërprerjet kolektive të energjisë elektrike. Në kontratën e firmosur mes CEZ shpërndarje e qeverisë, e cila u ratifikua nga parlamenti në 2009 është thënë specifikisht se nëse një klient, qoftë i vetëm paguan energjinë, dhe 99 % e të tjerë nuk paguajnë, atëherë atij nuk i ndërpritet energjia. Ndërsa ndërprerjet kolektive janë të ndaluara

Genc Kondi, gazetari i Shqiptarja.com informon se pritet të vijojnë një seri gjobash ndaj CEZ shpërndarje, e cila ka njoftuar se opsioni i mundshëm i saj është largimi nga Shqipëria.

Ndërprerjet kolektive të energjisë elektrike të ndërmarra nga CEZ, për ditë të tëra, lanë pa energji disa lagje në Tiranë por dhe në qytete, si Kukës, Lezhë, Shkodër e fshatra, çka nxiti dhe protestat e banorëve, të cilët deklaronin se ishin konsumatorë të rregullt, dhe paguanin energjinë elektrike që u faturohej.

Tre ditë më parë ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto deklaroi se ndërprerjet kolektive ishin të paligjshme dhe qeveria ishte kundër tyre. “Ka disa detyrime kontraktore të CEZ sipas të cilave nuk mund të bëhen ndërprerje kolektive por çdo kontraktor do të trajtohet sipas kontratës që ka me CEZ. Ndërprerjet kolektive janë të paligjshme dhe jemi totalisht kundër. Institucionet shqiptare konkretisht ERE po bën punën e tij me qëllim që të respektohen detyrimet kontraktore që ka CEZ ndaj qytetarëve shqiptarë”- deklaroi Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve pas konferencës ministrore të Investimeve të Europës Juglindore (SEEIC).
(sg/shqiptarja.com)