18 minatorë kanë mbetur të bllokuar në minierën e Trepça në Stan Tërg, pasi gjatë natës u ndërpre energjia elektrike për shkak të një defekti në rrjet. Sipas njoftimit të kompanisë, problemi ndodhi rreth orës 01:30, kur një defekt në linjën 35 kilovolt që furnizon minierën me energji shkaktoi dëmtime në trafostacion dhe ndërpreu energjinë në zonën ku po punonin minatorët.

Në atë moment, në minierë ndodheshin 47 punëtorë të turnit të tretë. 29 prej tyre arritën të dalin, ndërsa 18 të tjerë mbetën në nëntokë, rreth 760 metra thellësi. Sipas informacioneve nga terreni, një përcjellës elektrik është shkëputur në hyrje të trafostacionit, duke dëmtuar izolatorët dhe transformatorin që furnizon flotacionin me energji. Defekti ka prekur edhe pajisje të tjera të sistemit elektrik të minierës.

Nga Trepça bëhet me dije se minatorët janë në gjendje të sigurt dhe se ekipet teknike po punojnë për rikthimin e energjisë dhe nxjerrjen e tyre.

“Pjesa e mbetur e punëtorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh. Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Një anëtar i ekipit të shpëtimit tha se komunikimi me minatorët vazhdon dhe situata deri tani është e qëndrueshme.

“Deri tash, gjendja është e qetë, është stabile. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me minatorët të cilët janë të mbyllur për shkak të defektit me energji elektrike. Menaxhmenti i ka marrë masat e duhura”, tha ai.

Sipas tij, vetëm një nga minatorët ka shfaqur shqetësime të lehta.

“Deri tash nuk është që kemi shqetësime shumë të mëdha, përveç disa shqetësimeve të vogla të një minatori i cili është më i ri pak, veç sa e ka filluar punën dhe nuk është shumë i informuar mirë me rrethanat aktuale apo problemet që janë”, u shpreh ai.

Ekipet e shpëtimit dhe specialistët e energjisë vijojnë punën në terren për të rikthyer furnizimin me energji dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e minatorëve nga miniera.