SHKODËR- Ditën e sotme ka ndërruar jetë babai i pacientit të parë të konfirmuar me COVID-19 në qytetin e Shkodrës, në lagjen e Dobraçit, 

Ai ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, por jo prek koronavirusit edhe pse ishte i infektuar. I moshuari me inicialet E.L mësohet se kishte 3 muaj në gjendje kome dhe do të përcillet për në banesën e fundit ditën e sotme në orën 14:00 në masa të rrepta sigurie. Për këtë arsye, shtëpia e tyre po ruhet nga efektivë policie.

Kjo familje në lagjen e Dobraçit në qytetin e Shkodrës ka qenë një nga vatrat kryesore të transmetimit të COVID-19 në rrethet familjare. Për këtë rast ka pasur  edhe një reagim nga ministria e Shëndetësisë, ku u tha se ndonëse ka pasur të konfirmuar me COVID-19 persona të kësaj familjeje, nuk ishin ndalur vizitat për të parë të moshuarin i cili ishte në gjendje të rëndë. madje ministria tha se ka pasur rreth 20 vizitorë në shtëpi njëkohësisht, për të parë të moshuarin.

Në lidhje me rastin edhe Minsitria e Shëndetësisë ka sqaruar se i moshuari 85-vjeçar, me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e COVID19.

"I moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme. 85-vjeçari ka qenë bartës i COVID19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe sqarojmë edhe një herë se 85-vjeçari, nuk është viktimë e COVID19 në Shqipëri", shkruan ministria

Shkodra është qyteti i dytë më i prekur në Shqipëri, pas Tiranës ku në total numërohen 49 raste. Ky qytet ka njohur një shpërthim të menjëhershëm të virusit, kur pjesa më e madhe e të infektuarve janë nga dy rrethe familjare. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje qytetarëve që në këtë periudhë të shmangen vizitat familjare, por një gjë e tillë nuk është respektuar në kryeqendrën e Veriut duke sjellë një numër të madh të të infektuarve brenda një harku kohor shumë të shkurtër.

Varrimi i të moshuarit bëhet sot, shtëpia e tij ruhet me policë