Ish-anëtarja dhe drejtuesja e Brigadës së Kuqe në Itali, Barbara Balzerani, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Silvia De Bernardinis, autore e disa librave për Brigadën e Kuqe. Balzerani luajti një rol të rëndësishëm në seksionin e Brigadës së Kuqe në Romë dhe mes operacioneve të tjera mori pjesë edhe në rrëmbimin e Aldo Moros më 16 mars 1978 në via Fani, ku u vranë pesë anëtarët e eskortës së kryeministrit të atëhershëm të Demokristianëve.
Balzerani lindi në vitin 1949 në Collegerro dhe në vitin 1969 u transferua në Romë për të studiuar filozofi. Gjatë studimeve ajo filloi të frekuentonte qarqet e së majtës jashtëparlamentare dhe më pas u anëtarësua në Brigadën e Kuqe në vitin 1975. Nga viti 1977 e në vazhdim ajo kreu një jetë të fshehtë. Ajo mbajti postin e drejtoreshës së kolonës së Brigadës së Kuqe në Romë dhe mori pjesë në disa sulme, duke përfshirë vrasjen e magjistratit Girolamo Minervini në mars 1980.
Mbi të gjitha Balzerani mori pjesë në pritën në Via Fani, ku mbetën të vrarë pesë anëtarët e eskortës së Aldo Moros dhe u rrëmbye ish-kryeministri. Gjatë rrëmbimit, Balzerani dhe Mario Moretti (anëtar i bërthamës historike të Brigadës së Kuqe) u fshehën në bazën në via Gradoli, në Romë. E njëjta bazë u zbulua më vonë nga policia më 18 prill 1978, pas rrëmbimit të Moros dhe para vrasjes së tij. Në atë moment nuk ishin brenda as Moreti dhe as Balzerani. Ndërhyrja e policisë erdhi si pasojë e një shpërqëndrimi të gruas, e cila para se të dilte nga shtëpia la hapur dushin, duke shkaktuar përmbytje të cilat alarmuan fqinjët.
Moretti u arrestua më pas në vitin 1981. Balzerani mori pjesë në periudhën e ndarjes së Brigadës së Kuqe, duke udhëhequr fraksionin e BR “Partia Komuniste Luftuese”, kundër BR “Partia Guerile”. Më pas ajo u arrestua në vitin 1985. Ajo ishte ndër anëtarët e fundit të Brigadës së Kuqe që u kap. Në atë kohë ajo njihej edhe si “Pimperneli i Kuq”. Kur ishte në burg, ajo mori përgjegjësinë për vrasjen e ish-kryebashkiakut të Firences Lando Conti në shkurt 1986 nga Brigada e Kuqe. Ajo u dënua me burgim të përjetshëm.
Në vitet pas dënimit të saj, Balzerani ishte kritike për luftën e armatosur, por nuk u pendua dhe nuk u shkëput në mënyrë eksplicite nga periudha e militantizmit. Në vitin 1993 ajo tha se ndjente "keqardhje të thellë" për ata që ishin "prekur te të dashurit e tyre" nga ajo që ndodhi në vitet e Brigadës së Kuqe, dhe më vonë u shkëput plotësisht nga Brigada e Re e Kuqe e lindura në vitin 1999. Në vitin 2006 ajo u la në lirim me kusht dhe në vitin 2011, pasi kreu dënimin, u rikthye në liri të plotë. Që atëherë ajo kishte botuar katër libra. I fundit, në vitin 2020, e quajti “Letër babait tim”.