Ish- kreu i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Selim Muça ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij si dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman. 

Selim Muça vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Ai ka drejtuar KMSH nga viti 2004 deri në 2014. Muça nuk rikandidoi për të qenë sërish kryetar i KMSH-së për arsye shëndetësore dhe për t’i dhënë mundësi brezit të ri. Në vend të tij erdhi Skënder Bruçaj, kreu aktual. 

Këshilli i Përgjithshëm e shpalli H. Selim Muçën kryetar nderi dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin: “Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare”.   

Por, kush ishte Selim Muça?
Ai vinte nga një familje myslimane shqiptare, prej dhe ku ka marrë bazat e para themelore të islamit. 
Selim Muça u angazhua totalisht në shërbim të Islamit dhe ringritjen e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ai, gjatë detyrës së tij si kryetar i KMSH-së, ka qenë një vizion i ri për Islamin shqiptar, dhe lideri i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën e demokracisë, duke zëvendësuar në këtë post Haxhi Hafiz Sabri Koçin që ka ndërrur jetë në vitin 2004, dhe që ishte i pari Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar pas rikthimit të fesë në Shqipëri në vitin 1991.

Njoftimi i KMSH-së:
"Sot ka ndërruar jetë dhe është nisur për në udhën e pafundme një prej drejtuesve më të spikatur të myslimanëve shqiptarë, Haxhi Selim Muça.

Haxhi Selimi ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh.

Haxhi Selim Muça, do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi KMSH dhe punoi shumë për bashkësinë islame shqiptare. Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së KMSH në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve muslimanë.

Gjithashtu ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që i jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe të gjitha hapsirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Haxhi Selim Muça e drejtoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për dhjetë vite (2004-2014) dhe me gjithë pengesat e moshës dhe të shëndetit, ai punoi dhe u angazhua deri ditën e fundit në mbështetje punës së KMSH. Si një bashkëshort shembullor, baba dhe gjysh i dashur, ai la pas bashkëshorten e tij Zisën dhe tre fëmijët, Arjanin, Almën dhe Ermalin.

Bashkohemi në këtë hidhërimin tonë të përbashkët dhe lusim Zotin ta bëjë një prej robërve të tij të xhenetit.

Lusim Zotin e madh për mëshirë për shpirtin e tij"!


Ceremonia Mortore për nder të Haxhi Selim Muçës:
14:00 – 15:00 Pritja dhe homazhet në ambientet e Medresesë së Tiranës

15:00 – 15:20 Falja e namazit të xhenazes në Xhaminë e Medresesë

15:20           Përcjellja e xhenazes për në varrezat e Tufinës

Redaksia Online
(B.K/shqiptarja.com)