Ish-presidenti grek Karolos Papulias, i cili shërbeu dy mandate midis 2005 dhe 2015, ndërroi jetë të dielën në moshën 92-vjeçare, tha presidenca.
Papulias, i cili ishte gjithashtu ministër i jashtëm në 1985-89 dhe 1993-96, ishte një anëtar i rangut të lartë të partisë socialiste PASOK dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i liderit të saj të ndjerë dhe ish-kryeministrit Andreas Papandreu.
Presidentja Katerina Sakellaropoulou bëri homazhe për Papulias dhe e vlerësoi atë për rolin e tij në rezistencën kundër pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kundër juntës ushtarake të Greqisë 1967-74.
'Pjesëmarrja e tij në rezistencën kombëtare dhe luftën kundër diktaturës...pasqyroi përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë, të cilat ai i mbrojti gjatë gjithë jetës së tij,'- tha Sakellaropoulou në një deklaratë.
Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet familjes dhe kombit grek për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Karolos Papulias, të cilin e konsideron një personalitet të madh që që kontribuoi në rivendosjen e demokracisë dhe progresin e vendit të tij. Meta shkruan se janë të paharruara takimet me të dhe respekti ndaj shqiptarëve.
'Mësova me trishtim ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias.
Vlerësim të madh për rolin historik dhe kontributin e Tij të çmuar në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për frymën konstruktive dhe vullnetin e sinqertë të dëshmuar për rivendosjen e urave dhe frymës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy popujve tanë.
Për mua do të mbeten të paharruara takimet me të dhe sidomos respekti dhe përzemërsia e Tij ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë.
Ngushëllime familjes, autoriteteve dhe kombit grek për humbjen e këtij personaliteti të madh, që kontribuoi në rivendosjen e demokracisë dhe progresin e vendit të Tij.'- shkruan Meta.