Ndërtesat mbi 50-vjeçare, Veliaj: Opozita përhap panik! Pasaportë sigurie për çdo ndërtesë, nuk bëhet fjalë për të prishur shtëpi

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi projektvendimin për auditimin e pallateve të vjetra mbi 50-vjeçare. Në një intervistë për Report tv, Veliaj tha se ky vendim nuk ka lidhje me prishjen e këtyre ndërtesave, por me inventarizimin dhe krijimin e një pasaporte sigurie për çdo godinë.

“VKM nuk ka dalë dje, as sot. Është një diskutim që ka filluar në vitin 2019, që çdo qytet, jo vetëm Tirana, duhet të bëjë auditin e ndërtesave. Pra, çdo ndërtesë duhet të ketë një pasaportë sigurie të vetën. Nuk ka lidhje me prishjen e tyre. Në shumë prej qyteteve tona ka një pafundësi anomalish. Ju kujtoj që në zonën e Tufinës, në Njësinë 4, ka shumë reparte ushtarake që janë ndërtuar si kapanone të përkohshme për ushtarakët, ndërkohë aty jetojnë famuilje prej 30 vitesh. Ka shumë ndërtesa të cilat, lavdi zotit, i shpëtuan valëve të tërmetit, por kanë nevojë të kontrollohen, deri në sa ballë mban kjo ndërtesë? A duhet përforcuar kolona, a duhen përforcuar muret? Çdo bashki do të bëjë një skaner të këtyre ndërtimeve, sepse po këta njerëz të Foltores që përmende ti, kur ndodh fatkeqësia thonë: Përse nuk morët masa? Kur merr masa, fusin panic tek njerëzit”, tha Veliaj.

I pyetur lidhur me faktin se drejtori i Institutit Ndërtimor, që duhet të bëjë kontrollin e strukturës së ndërtesave të vjetra, është në fakt edhe vjehrri i kandidatit të Berishës për Tiranën, Belind Këlliçi, Veliaj tha: “Për historitë me vjehërr dhe dhëndër, unë nuk jam zonja Eni, nuk jam këtu të pajtoj familjet, se çfarë hap panik njëri në mëngjes dhe çfarë sqaron tjetri në darkë, këto janë muhabete familjare. Detyra ime si kryetar bashkie është që, kur të dalë kjo VKM, kur të jepet ky propozim, ne ta zbatojmë dhe t’i japim çdo ndërtese një pasaportë sigurie, që të dimë ku ka nevojë të përforcohet kolona, ku ka nevojë të përforcohen muret dhe ta dimë këtë jo kur të vijë fatkeqësia e radhës, por t’i paraprijmë asaj. Nuk bëhet fjalë për të prishur shtëpi, sepse ato janë banesa private, secili e merr vetë vendimin se si do ta zhvillojë pronën”.

Më herët, drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli ka përgënjeshtruar deklaratat e Sali Berishës dhe Ilir Metës lidhur me projektvendimin për kontrollin e strukturës së godinave mbi 50-vjeçare. Në një lidhje për Euroneës, Shkreli, i cili është njëkohësisht edhe vjehrri i kandidatit të Sali Berishës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, sqaroi se për ato pallate të vjetra, që kanë pësuar dëmtime ndër vite, do të bëhet ndërhyrje për t’i kthyer të sigurta për të jetuar. “Ky nuk është moment për t’u shqetësuar. Është një moment që njerëzve duhet t’u jepet siguria që banesat ku ata jetojnë, janë banesa të sigurta. Çdo ditë në Institutin e Ndërtimit vijnë kërkesa nga qytetarë, por edhe nga bankat apo shoqëritë imobilare për probleme të tjera, të cilat kërkojnë certifikimin se në çfarë gjendje ndodhen objektet sa i përket anës strukturore. Ideja është që objektet që paraqesin patologji të rënda do jenë objekte ku do ndërhyhet për t’i sjellë në normë sizmike. Pra, do ketë ndërhyrje në këto objekte. Në objekte që kanë patologji të lehta, ato do përballohen me një mirëmbajtje rutinë që ka ndodhur. Objektet i kanë rezistuar tërmeteve, por asnjëri nuk jep garanci në objekte të pa ekzaminuara se deri kur këto do i qëndrojnë tërmeteve”, tha Shkreli.


Lajmi kryesor:

Meta-Berisha në protestë, Veliaj për Report Tv: Cirk para fushate, kërcejnë nga belaja për hall personal! Mesazh kundërshtarëve: T'u shërbejmë qytetarëve


M.Q./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen