ABUZIMI
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka deklaruar se ndërtimet pa leje në bregdet janë një “emergjencë kombëtare”. Ai ka deklaruar publikisht se në muajin shtator do nisë “operacionin”, që do të ndalojë këto ndërtime, të cilat, sipas tij, janë “një kancer agresiv në veprim”. Nëpërmjet postimeve në Tëitter, Rama ka deklaruar publikisht atë që ai ka ndërmend të bëjë që në shtator, sapo të ulet në karrigen kryeministrore: “Ndërtimet abuzive në bregdet – një kancer agresiv në veprim! Duhet një operacion i gjerë e i thellë. Policia e Shtetit në krye! Stop rrënimit! Operacioni do jetë gati në shtator e s’do ndalet deri në vendosjen e sundimit të ligjit mbi territorin” - shkruan Rama.
(Në foto: Bllokim rruge publike e plazhi për parkim hoteli, tek Saranda Internacional, rruga Sarandë-Butrint km 1.5)
Pastrimi i bregdetit dhe i hapësirave publike nga ndërtimet abuzive, të përhapura me shpejtësi sidomos në përiudhën e fundit të mandatit të dytë të Berishës, ka qenë një temë e preferuar dhe e kthyer në një prej sfidave, për të cilën Edi Rama ngulmon se ekzistojnë të gjitha mundësitë ta realizojë, duke bërë ndryshimin rrënjësor të situatës, siç bëri me Tiranën e fundviteve ’90.
Stoprrenimit.com, kjo është adresa në internet, ku çdokush, sipas Edi Ramës, 'mund të kthehet në kontributor në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet - po edhe në qytetin tuaj".
(Në foto: Mali i Robit, Golem, pranë hotel Elesio; objekt totalisht abuziv, 7 katet janë ngritur në kohë rekord gjatë ditëve të fushatës)
“Celulari juaj, shkruan Rama në këtë faqe interneti, mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare”. Më tej, ai shpjegon rëndësinë e përfitimit të çdo informacioni nga terreni, kur thotë: “Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë, jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori, por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”.
(Në foto: Ndërtim pa leje në Unazën e Himarës)
BERISHA
Duke qesëndisur këtë aksion të Ramës, kryeministrti në ikje Sali Berisha shkruante dje në FB se, dy vjet pas fitores së pushtetit lokal nga të majtët, “fitorja mavi solli rrënimin e bregdetit tonë nga ndërtimet pa leje”. “Merreni me mend rrënimin dhe katastrofën që mund të sjellë në mbarë vendin pushteti mavi i Piktorit, që doli nga mashtrimet anti-globaliste dhe krimi??? Qytetarë, duhet të jemi gati kundër rrënimit dhe katastrofës mavi!”, shkruan Berisha në rrjetin “Facebook”.