Strukturat e Policisë së Shtetit, në zbatim të misionit, detyrave institucionale dhe prioriteteve të vendosura, kanë vijuar zbatimin e masave të posaçme të ndërmarra kundër krimit mjedisor dhe në mënyrë të veçantë ndërtimeve pa leje.

Në kuadër të këtyre masave, nga strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 444 raste të ndërtimeve abuzive, për të cilat janë proceduar penalisht 448 shtetas, autorë të këtyre ndërtimeve të paligjshme. Për 34 shtetas, të cilët kryesisht janë konstatuar se kanë ndërtuar objekte pa leje në tokë publike, tokë shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë.
Ndërkohë, 400 shtetas të tjerë, autorë të ndërtimeve të paligjshme, janë proceduar e ndiqen në gjendje të lirë, ndersa 14 shtetas janë shpallur në kërkim. Gjatë ditës së djeshme, nga strukturat e policisë janë proceduar penalisht 32 persona, të cilët nga verifikimet e kryera, janë konstatuar se kanë ndërtuar objekte në mënyrë të paligjshme, në nje rast është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe nje shtetas është shpallur në kërkim.

Në çdo rast të konstatuar nga strukturat e Policisë së Shtetit janë kryer veprimet procedurale përkatëse, duke bërë edhe pezullimin e punimeve në objektin e ndërtuar në mënyrë abuzive. /ATSH/