Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa paralajmëron se nisja e ndërtimeve shumë katëshe pranë Vilës verore të mbretit Zog në Durrës, mund të cenojë edhe objektin historik.
Edhe pse sot është në pronësi private, deputetja demokrate kërkon që kjo pasuri të përfshihet në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore, duke vlerësuar se vila përfaqëson vlera të larta arkitekturore dhe politike.
“Çdo ndërhyrje në zonën përreth saj apo aq më keq tek ajo vetë duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë dhe transparencë të plotë”, shkruan deputetja, e cila njofton se ka kërkuar sqarime te Institut i Trashëgimisë Kulturore mbi projektin e ndërtimit, dhe masat e marra për ruajtjen e integritetit të këtij objekti.
"Nisur nga shqetësimet publike mbi ndërtimet e reja shumëkatëshe tek vila verore e Mbretit Zog në Durrës, i jam drejtuar zyrtarisht Institutit të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare me një kërkesë për informacion të detajuar. Kjo vilë përfaqëson një ansambël me vlera të rëndësishme historike, arkitekturore dhe politike, ndaj çdo ndërhyrje në zonën përreth saj apo aq më keq tek ajo vetë duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë dhe transparencë të plotë.
Kam kërkuar sqarime mbi çdo projekt ndërtimi, miratimet përkatëse, statusin aktual të mbrojtjes, si dhe masat e marra për ruajtjen e integritetit të këtij objekti. Është e nevojshme që kjo pasuri të përfshihet në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore, pavarësisht pronësisë private. Trashëgimia jonë historike dhe kulturore nuk mund të cenohet, ajo duhet të mbrohet dhe të ruhet për brezat që vijnë", shkruan Zhupa.
Në zonën kodrinore mbi Durrës, pranë vilës së Zogut e cila ndër vite ka mbetur e paprekur, kompania Rajfi Group synon të zhvillojë një kompleks rezidencial, me objekte deri në 7 kate mbi tokë dhe deri në 3 kate nën tokë.
Vila e Zogut e cila nisi ndërtimin në vitin 1926 është një nga objektet më simbolike të monarkisë shqiptare, e cila shërbeu si vilë rezidencë verore mbretërore dhe si hapësirë pritje për delegacionet e huaja. Gjatë trazirave të vitit 1997, vila u plaçkit dhe u shkatërruan elementë origjinalë të saj.
Komente










te prishesh vilen e zogut eshte katastrofe shteti ka mbaruar i kane rene breket turp durrsaket te ngrihen vila eshte simboli durresit
Përgjigju