TIRANE- Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanistikës Murat Kurum dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj kanë firmosur projektin për ndërtimin e 500 shtëpive në zonën e Laçit për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministri turk kërkoi që brenda muajit janar t'i dorëzohet trualli ku do të ndërtohet banesat, ndërsa deklaroi se Turqia do të vijojë të ndihmojë vendin tonë, edhe në fazat e tjerë për rimëkëmbjen pas tërmetit.

Kurum theksoi se banesat me financim nga shteti turk do të ndërtohen sipas arkitekturës dhe traditave shqiptare. Nga ana tjetër kreu i qeverisë u shpreh se përveç ndërtimit të 500 shtëpive të cilat do të jenë model dhe do të krijojnë një model urbanistike, nga bashkëpunimi mes dy vendeve do të marrë fund edhe fenomeni i përmbytjes në zonën e Laçit.

Ministri turk tha dje në një deklaratë për mediat, se nëse projekti për ndërtimin e 500 banesave në Laç do të nisë në fund të muajit janar, atëherë brenda 6 muajve do u dorëzojnë të prekurve nga tërmeti çelësat e shtëpisë së re.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:23
Rama me ministrin turk: Do ndërtohet lagje model me infrastrukturë nëntokësore! Kurum: Rrugët nëntokësore të jenë më të gjera

Kryeministri Edi Rama ka shoqëruar ministrin turk Murat Kurum në Laç ku do të ndërtohet edhe largjia e re me 500 shtëpi. Përmes një postimi në rrjetet sociale Rama shkruan se lagjia e re do të ketë infrastrukturë nëntokësore dhe mbitokësore, dhe të gjithë banorët që kanë humbur shtëpitë do të kthehen në banesa më të mira.

"Një lagje e re në vend të pallateve të vjetra, me infrastrukturë nëntokësore e mbitokësore model, ku të gjithë banorët që humbën shtëpitë do të kthehen në banesa shumë më të mira, do ta bëjë Laçin një nga shembujt më kuptimplotë të Rindërtimit", shkruan Rama.

Rama tha se bashkë me problemin e strehimit do të marrë fund edhe problemi shumë-vjeçar i përmbytjes së Laçit.

"Ky është sheshi kryesor i ndërtimit. Ne duhet të riorganizojmë pamjen urbane të gjithë zonës. Paralelsiht pjesa juaj ndërtimi, pjesa jonë infrastruktura në të gjithë zonën. Kjo është pjesa e përroit që bën përmbytjen. Nga ana tjetër është një përrua i madh ku duhet gjetur zgjidhje teknike. Është problem shumë i madh. Përmbytet gjithçka.  Në 26 Tetor të vitit të shkuar i gjithë qyteti u përfshi në ujë. Kjo është e gjithë pjesa e përroit. I madhi është në krahun tjetër. Kjo është zona e ndërtimit. Ne do shohim edhe sistemimet në pjesën mbrapa", shkruan Rama.

Ndërsa ministri turk u shpreh se në lagjet e reja duhen rrugë më të gjera.

"500 banesat që do bëjmë ne. Do ishte mirë që rrugët kryesore të jenë më të gjera", u shpreh ai.

Ora 10:11
Arben Ahmetaj dhe ministri turk nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e 500 shtëpive për të prekurit nga tërmeti

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanistikës Murat Kurum dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj kanë firmosur projektin për ndërtimin e 500 shtëpive në zonën e Laçit për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ora 10:04
Ministri turk: Shpresojmë që brenda janarit të na dorëzohet trualli për ndërtimin e 500 shtëpive! Projekti sipas traditave shqiptare

Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanistikës Murat Kurum theksoi  gjatë fjalës së tij se banesat me financim nga shteti turk do të ndërtohen sipas arkitekturës dhe traditave shqiptare, ndërsa kërkoi që brenda muajit janar t'i dorëzohet trualli ku do të ndërtohen 500 shtëpitë për të prekurit nga tërmeti.

"Ju kam sjellë përshëndetjet e përzemërta të Erdogan. Ne i ndodhem sa më pranë vëllezërve tanë shqiptarë. Ekipet tona erdhën dhe bënë përpjekje për të ndihmuar sa më shumë njerëz. Ekipet tona kanë verifikuar në terren 600 njësi dhe kemi ofruar ndihma të veçanta. Më pas presidenti Erdogan dha porosi për të ndërtuar 500 banesa të reja. Jemi këtu në kuadër të këtij procesi dhe deri në fund të Janarit autoritet shqiptare të na dorëzojnë truallin ku do të bëhet ndërtimi. Do të jetë një lagje shembullore, dhe ndërtimi do të përshtatet me arkitekturën dhe traditën shqiptare. Ne do firmosim protokollin e parë për realizimin e këtij projekti dhe jemi të gatshëm për t'i ardhur në ndihmë Shqipërisë edhe në çështje të tjera. Ato që ne kemi bërë deri tani do vazhdojmë të bëjm edhe në të ardhmen në kuadër të marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve", tha ministri turk.

Ora 10:02
Rama me ministrin turk: Ndërtimi i 500 shtëpive transformim për Laçin, banesa më të mira se të parat! I japim fund edhe përmbytjeve

Kryeministri Edi rama u shpreh se përveç ndërtimit të 500 shtëpive të cilat do të jenë model dhe do të krijojnë një model urbanistike, nga bashkëpunimi mes dy vendeve do të marrë fund edhe fenomeni i përmbytjes në zonën e Laçit.

"Si dhe është bërë e ditur dje gjatë një konference për shtyp tani jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në fazën e nënshkrimit të këtij bashkëpunimi. Janë 500 njësi të reja banimi që do ndërtohen nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi të presidentin Erdogan në zonën e Laçit që njerëzit të kthehen në shtëpi më të mira se ato që kanë pasur. Ky është zëvendësimi i godina të rrënuara dhe do të jetë një transformim i rëndësishëm i gjithë situatës urbane. Agjencia e angazhuar për këto 500 njësi, do vazhdojmë me një plan zhvillimi për të gjithë infrastrukturës. I japim zgjidhje edhe përmbytjeve në zonën e Laçit. Të dyja palët do ndajnë punën dhe në një kohë të shkurtër do krijojmë në shembull.  E falenderoj me shumë mirënjohje ministrin dhe gjithë delegacionin që ka ardhur bashkë me të dhe përfaqësues të specializuar në programin e ndërtimeve me karakter social në Turqi", tha Rama.