Përpjekja për ta kthyer Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë elektrike, ose “superfuqi energjetike rajonale”, sikurse e ka etiketuar kryeministri Berisha, duket se ka dështuar, duke qenë se qindra licensat e dhëna për të ndërtuar HEC-e lokale nuk kanë kontribuar aspak në rritjen e ndjeshme të prodhimit.
Qeveria është gjithashtu shumë poshtë shifrave të vitit 2005, kur erdhi në fuqi. Atë vit, sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave, sistemi energjetik shqiptar arriti të prodhojë 5.5 miliardë kilovatorë, për të dytin vit rradhazi. Këtij niveli të prodhimit vendi ynë i është afruar në vitin 2009, ndërkohë që vetëm 2010-a e përmbytjeve dhe vërshimeve të mëdha arriti të tejkalojë çdo rezultat të mëparshëm.
Gjatë debatit të djeshëm parlamentar, deputeti i PS Erjon Braçe u kujtoi qeveritarëve deklaratat e mëparshme se, në 4 vite do të ndërtoheshin 136 hidrocentrale dhe ato do të gjeneronin 50 mijë vende pune. “Ku janë? Nga 136 hidrocentrale të premtuara, janë ndërtuar vetem 32! Vendet e punës kurrë nuk u bënë 50 mijë, madje 52 mijë shqiptarë humbën vendet e punës”, theksoi ai.
Sistemi energjetik nuk ka mundur të plotësojë nevojat e brendshme, duke shënuar edhe në këtë drejtim rënie. Në qoftë se më 2005 u importuan neto 868 milionë kilovatorë, në 2011-ën kjo shifër arriti në 1.5 miliardë dhe vitin e kaluar 881 milionë.
SITUATA
Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bënë të ditur se hidrocentralet në lumin Drin po gjenerojnë energji në vlera të larta, edhe pse niveli në liqenin e Fierzës është shumë pranë pikës maksimale kritike. Aktualisht, niveli në këtë liqen arrin në 293.66 metra dhe prurjet në 420 metër kub në sekondë.
Fierza i ka vënë në punë të katër turbinat. KESH raporton se vetëm Vau i Dejës po kryen shkarkime nga portat, në sasinë 300 metër kub ujë në sekondë. 6 milionë kilovatorë në ditë po eksportohen kundrejt pagesës dhe 3 milionë të tjera po depozitohen në Kosovë.
INTERKONJEKSIONI, BLLOKIMI I LINJES PENGON EKSPORTIN E KESH
Kapacitetet maksimale të depozitimit dhe shkëmbimit të energjisë, që realizon aktualisht Korporata Elektroenergjetike me Kosovën, janë 3 milionë kilovatorë në ditë. Kjo e detyron KESH-in që pjesën tjetër të energjisë, së prodhuar aktualisht me shumicë, ta shesë në tregun tjetër, por jo me çmimin maksimal.
Shkak i kësaj situate, theksojnë ekspertët, është mosrealizimi i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri–Kosovë. Punimet për të, edhe pse do të financoheshin nga banka shtetërore gjermane KfË, që i konsideroi të rregullta procedurat e tenderit në fillim të vitit 2012, janë të bllokuara nga qeveria shqiptare.
Tenderi përfundoi me daljen fituese të kroates “Dalekovod”, por procesi u bllokua kur ministria e Financave pretendoi se për Shqipërinë kjo nuk ishte e leverdisshme, pasi oferta e kompanisë fituese ishte 44% më e lartë nga ajo e kompanisë boshnjake që u rendit e dyta, përkatësisht 48 dhe 27 milionë euro.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptaja.com (print) 26.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)