Ndërtuesit: 92% e rrugëve pa
u paguar, shteti nuk i shlyen

Ndërtuesit: 92% e rrugëve pa<br />u paguar, shteti nuk i shlyen
TIRANE - “Qeveria ka shpërndarë vetëm 8 për qind të vlerës së investimeve të kryera tek kompanitë dhe këto kanë qenë shuma të vogla, që nuk e ndihmojnë biznesin të shlyejë kreditë në banka apo detyrime të tjera ndaj të tretëve. Ne prisnim që qeveria të shlyente deri në 50% të borxhit që ka ndaj çdo firme dhe atëherë do të kishte një frymëmarrje në këtë sektor”. Ka deklaruar kështu dje sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Arben Dervishi.

Ndonëse qeveria së fundmi ka filluar të paguajë detyrimet e prapambetura ndaj kompanive të ndërtimit, Shoqata e Ndërtuesve pohon se pagesat që janë kryer ndaj firmave kanë qenë minimale dhe nuk kanë dhënë asnjë efekt në përmirësimin e kapaciteteve financiare. “Duhet medoemos që shteti të paguajë detyrimet që ka ndaj firmave të infrastrukturës, që janë në fakt edhe kompanitë më të mëdha të sektorin të ndërtimit. Ne jemi të bindur që, nëse kjo do të ndodhë, ky sektor do të ketë një zhvillim të ri dhe do të gjenerojë një impuls në të gjithë ekonominë e vendit”, sipas Dervishit.

SHLYERJA

Ministria e Financave javët e fundit ka nisur shlyerjen e faturave për punimet e kryera që në vitin 2011. Qeveria miratoi në mars 2013 ligjin për rishikimin e buxhetit, duke lejuar marrjen hua të 12 miliardë lekëve, me besimin e ardhjes në buxhet të parave nga shitja e katër hidrocentraleve, me vlerë rreth 15 miliardë lekë. Autorizimi i përdorimit të 12 miliardë lekëve si paradhënie e privatizimit për sektorin e investimeve publik i hapi rrugë likuidimit të një pjese të faturave të prapambetura.

Nga 12 miliardë lekë të vendosura në dispozicion, afro 83 për qind do të shkojnë për rrugët. Kështu ka vendosur Ministria e Financave, së bashku me Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, organ që mbulon investimet në zonat rurale. Nga totali i fondit të zhbllokuar për likuidimin e faturave të prapambetura, rreth 75 për qind është për rrugët kombëtare, 17 për qind për rrugët rurale, 4 për qind ose 500 milionë lekë për ujësjellësit dhe po 4 për qind (pjesa e mbetur) do të vendoset në zërin fond kontingjence.

DETYRIMET

Shifrat e detyrimeve të qeverisë ndaj firmave private u bënë publike për herë të parë në kulmin e krizës të vitit 2010. Ishin 50 milionë euro, por më pas, një raport i FMN-së, thoshte se vlera kishte arritur në 70 milionë euro. Të dhënat ishin siguruar në rrugë operative nga raportimet e Shoqatës së Ndërtuesve, e cila kishte mbledhur situacionet e punimeve të kryera në vepra publike nga firmat anëtare të saj.

Në vitin 2011, borxhi arriti në 100 milionë euro, kurse në mesin e vitit 2012 u deklarua për afro 150 milionë euro. Aktualisht, mendohet se vlera e krijuar është diku te 200 milionë euro. Këto nuk janë të dhëna zyrtare, por thjesht shifra të raportuara nga biznesi, përmes shoqatave të tyre. Zyrtarisht, ministria e Financave ka njohur një borxh të akumuluar prej 100 milionë eurosh, pa TVSH, vetëm në sektorin e ndërtimit të rrugëve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë