Mungesa e parashikimeve ligjore deri më tani jo vetëm që ka lejuar ndërtime pa leje apo tejkalim të lejes, por ka bërë të mundur edhe shitjen e sipërfaqeve ndërtimore, duke bërë të pamundur konfiskimin apo shembjen e tyre.
Për këtë qëllim, tre aktet normative tashmë në fuqi, synojnë ndalimin e menjëhershëm të kësaj situata të paligjshme dhe tashmë çdo metër katror i ndërtuar pa leje jo vetëm që nuk do të legalizohet, por edhe të jetë i pashitshëm.
Drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në prezantimin e akteve në Komisionin e Ligjeve, tha se tashmë çdo metër katror i shitur nga ndërtuesit do të jetë i verifikueshëm në kohë reale nga autoritetet shtetërore, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, të cilët mund të bien pre e abuzimeve, dhe të paguajnë një apartament të ndërtuar pa leje.
“Kemi evidentuar shkelje të rënda, përsa i takon metër katrorëve të shtuar gjatë realizimit të projektit. U evidentuan raste konkrete të metrave katrorë të ndërtuara pa leje, ndërsa ishin shitur për blerësit. Ndaj duhej një ndërhyrje urgjent. U ndeshëm me kontrata të cilat, nesër ose do të jemi të detyruar ti certifikojmë metër katrorët jashtë lejes, ose do të jemi të detyruar të përballemi me mungesë kontrolli nga shteti, dhe qytetarët duhet të kompensohen për këtë mungesë kontrolli”, tha Adelajda Roka.
Për të penguar thellimin e këtij problemi, do të ngrihet regjistri i lejeve të ndërtimit, me të dhënia mbi metrat katror të çdo godine, dhe në kohë reale zbriten edhe metrat që mund të shiten.
“U bë marrëveshja me dhomën kombëtare të noterisë dhe ministrinë e drejtësisë që të fillonte menjëherë regjistrimi i metra katrorëve derisa të bëhen ndryshimet ligjore. Duke qenë se lejet e ndërtimit ishin të pa regjistrueshme, por hapej një kartelë në regjistrin e kadastrës që nuk ishte regresive. Leja regjistrohet hapet një kartelë, por metrat katrorë që investitori shet, nuk bënin zbritjen faktive, dhe nuk është e kontrolluar shitja”, tha Roka.
Ndërsa zëvendësministrja e Infrastrukturës Enkelejda Muça shpjegoi se ç’do të ndodhë me hapësirat pa leje.
“Ato që janë ndërtuar mbi 10% pa leje, ose tërësisht pa leje, ose prishen dhe kostot mbulohen nga ndërtuesit ose konfiskohen për interes publik”, tha Muça.
Për herë të parë në ndryshimet ligjore përfshihet edhe dhënia e kontratës së përdorimit të një objekti, pasi të jetë tërësisht i kolauduar.
“Një ndryshim thelbësor është parashikuar edhe në lidhje me procedurat e pajisjes me certifikatë përdorimi, duke minimizuar funksionimin e objekteve pa kolaudim, si dhe parandalon rritjen e ndërtimeve pa leje, duke e lidhur këtë procedurë ngushtë me furnizimin me rrjetin e ujit dhe me energjinë elektrike”, tha Muça.
Kontrollet në terren të autoriteteve kanë identifikuar se në mbi 40% të godinave të inspektuara është tejkaluar leja e ndërtimit me të paktën 10% të sipërfaqes.
Komente









