Real Madridi njoftoi të hënën shkarkimin e Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të ekipit të parë. Edhe pse pozicioni i tij kishte qenë nën vëzhgim për disa javë, veçanërisht që nga humbja kundër Celta Vigos në 'Bernabeu' dhjetorin e kaluar, pak veta prisnin që shkarkimi i tij të vinte pas finales së Superkupës së Spanjës.

Po, Real Madridi humbi 3-2 kundër Barcelonës, por nuk ishte performanca e tyre më e keqe e sezonit. Megjithatë, dukej se besimi i klubit ndaj trajnerit ishte krisur që pas humbjes 5-2 kundër Atletico Madridit në derbi, në shtatorin e 2025.

'Cadena Ser' në Spanjë, duke iu referuar gazetarit Antón Meana bën me dije se gjatë mbledhjes mes Xabit dhe klubit, trajneri ishte kujdesur që të shpjegonte se forca që klubi iu ka dhënë futbollistëve në forcat e zhveshjes kishte sjellë këto zhvillime.

"Në atë takim të fundit, ku ai u shkarkua, ai ia bëri të qartë klubit se nuk mund t'u japin kaq shumë pushtet lojtarëve, gjë që ai e konsideron si problemin kryesor të kohës së tij në Real Madrid. Trajneri ndien se është lënë i pambrojtur dhe është i befasuar nga mbrojtja e vazhdueshme e klubit ndaj dhomës së zhveshjes", bën me dije gazetari Meana.

Kryesisht sepse ai beson se kjo dëmtoi autoritetin e tij në stol.

"Meqenëse e kritikojnë për moskontrollimin e dhomës së zhveshjes, ai beson se është e pamundur të menaxhosh një dhomë zhveshjeje kur klubi gjithmonë mban anën e lojtarëve dhe jo të trajnerit, edhe kur ai ka të drejtë për vendimet sportive", thuhet në reagimin e gazetarit.

Kështu, Xabi Alonso largohet nga Real Madridi vetëm shtatë muaj pasi mori drejtimin e ekipit të parë. Ai largohet me 25 fitore, katër barazime dhe pesë humbje në 34 ndeshje, i njëjti rekord si Hansi Flick, i cili, megjithatë, u lejua të punonte që nga dita e parë dhe të zbatonte filozofinë e tij me lojtarët dhe pjesën tjetër të stafit të trajnerëve. Pasuesi i Xabit te Real Madridi do jetë Alvaro Arbeloa.