Shqipëria e ka nisur me këmbën e mbarë Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e drejtuar nga Rolando Maran kanë mposhtur 2-0 Bjellorusinë në Air Albania, duke dominuar nga fillimi në fund.
Të dy golat u realizuan në pjesën e parë fillimisht nga Kristjan Asllani i cili ekzekutoi saktë 11 metërshin e fituar nga Berat Gjimshiti. Më tej, në minutat shtesë të pjesës së parë Ernest Muçi dyfishoi rezultatin, duke konkretizuar asistin e Elseid Hysajt.
Në pjesën e dytë Shqipëria mendoi më shumë për të administruar, ndërsa nuk munguan as rastet për gol.
Më këto 3 pikë Shqipëria ndan kreun e grupit në Ligën e Kombeve bashkë me Finlandën. Këta të fundit shkatërruan 0-7 San Marinon dhe aktualisht kanë golavarazh më të mirë se kuqezinjtë. Ndeshja e rradhës për Shqipërinë do të jetë pas 3 ditëve në transfertë kundër San Marinos.
Atmosfera në stadium ka qenë 'e zjarrtë' dhe mijëra tifozë me flamuj kuqezi e plisa në kokë, mbështetën Kombëtaren shqiptare. Përmes pankartave ku shkruhej 'Jo në emrin tim', kuqezinjtë kanë 'protestuar' në stadium kundër vendimit të Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, për dënimin me 81 vite burg të 4 ish-krerëve të UÇK-së.
Ernest Muçi luajti si titullar me Kombëtaren pas shumë kohësh, ndërsa ia shpërbleu trajnerit Maran duke shënuar edhe një prej dy golave në fitoren 2-0 kundër Bjellorusisë. Pas ndeshjes ai deklaroi se ‘kuqezinjtë duhet të dalin të parët në grup’ dhe se ‘Maran është pozitiv me të gjithë ekipin.
“Jam shumë i lumtur që u riktheva. Ishte shumë e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje. Falenderoj trajnerin për besimin. Kemi 3 ndeshje të tjera, për të dalë të parët në grup. Golin ia dedikoj familjes time, të dashurës dhe gocës time.
Sot luajtëm me skemën 4-4-2, atje ndihem më mirë, mund të tregoj aftësitë e mia. Është skemë e mirë për të gjithë. Sot treguam që fituam me këtë skemë dhe duhet të vazhdojmë. Për cilësi e kam treguar në klub do e tregoj dhe në klub. Jam i gatshëm ta bëj. Ishte ndeshja ime e katërt në 5 vjet si titullar me Kombëtaren dhe goli i katërt, shpresoj të vazhdoj të jap kontributin tim.
Nuk kam edhe aq eksperiencë në Kombëtare, është ndeshja e katërt me formacionin moshatarët e mi kanë luajtur 40-50 ndeshje. Më mirë avash dhe të jem atje gjithmonë se 2-3 ndeshje dhe mos dukem. Maran është pozitiv me gjithë ekipin. Maran më ka thënë që të ndihem si te klubi im.
Të gjithë duam të bëjmë gol, rëndësi ka që fituam. Nuk është problem kush i bën golat,”- deklaroi Muçi për 'Digitalb'
Kombëtarja shqiptare ka kaluar në avantazh ndaj Bjellorusisë, me një gol të shënuar nga Kristjan Asllani nga pika e bardhë e penalltisë.
Goli i ka çuar peshë tifozët kuqezi, të cilët kanë shpërthyer në festë. Ndeshja mes 2 kombëtareve luhet në stadiumin Air Albania në Tiranë dhe është e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Pak para ndeshjes mes Kombetares shqiptare të Futbollit dhe Bjellorusisë, dy fëmijë të vegjël janë parë të veshur me fanella kuqezi, gati për të hyrë në stadiumin Air Albania.
Për gazetarin e Report Tv, Ernest Koçi, ata thanë se ishin të dashuruar me Kombëtaren, teksa bënë edhe parashikimin e tyre për ndeshjen e sotme.
“Do fitojmë. E ndjek shumë Kombëtaren. Rey Manaj më pëlqen më shumë. Jam tifoz shumë i madh për Shqipërinë. Dhe Rey Manaj, Kristjan Asllani dhe gjithë lojtarët e tjerë mua më pëlqejnë shumë, s’kam çfarë them. Pres të shënojë Rey Manaj ose Asllani”, tha një prej fëmijëve.
“E ndjek shumë Futbollin. Pres të shënojë Asllani. Do fitojmë 2-1”, tha fëmija tjetër.









Komente
Komento