KOSOVE- Në datën 5 mars Kombëtarja e futbollit të Kosovës do të luajë në Mitrovicë, për herë të parë një ndeshje futbolli kundër kombëtares së Haitit nën përkujdesjen e FIFA-s.
 
Njoftimi pasoi vendimin e FIFA-s, e cila në mesin e janarit i dha lejen Kosovës të luajnë ndeshje miqësore me kombëtaret e tjera.
 
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e kishte cilësuar vendimin e janarit si një nxitje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe që sërish konfirmon forcën e jashtëzakonshme të këtij sporti për t’i bashkuar njerëzit.
 
Por Kosova nuk mund të luajë ndeshje zyrtare ose kualifikuese pasi kjo federatë nuk është anëtare e FIFA-s.
 
Ndeshjet miqësore mund të zhvillohen në territorin e Kosovës me kusht që FIFA të jetë informuar së paku 21 ditë para secilit takim dhe kjo pastaj të informojë Federatën e Futbollit të Serbisë.
 
Çdo lloj shkelje e këtij vendimi do t’i referohet FIFA-s dhe marrëveshja automatikisht do të prishet.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)