Protesta e paralajmëruar nga qytetarët për çështjen e CEZ nuk do të zhvillohet ashtu siç ishte paralajmëruar për ditën e enjte.

Protestuesit thonë se policia ka refuzuar protestën me justifikimin se nuk ka efektivë policie në dispozicion për shkak se të gjithë efektivët do të përqëndrohen në mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Në një deklaratë për mediat protestuesit nënvizojnë se dita e enjte do ta gjejë kryeqytetin pa policë dhe e predispozuar për t’i lënë terren krimit të veprojë.

 “Ne protestuesit jemi të shqetësuar jo vetëm sepse qytetarëve shqiptarë po u mohoet një e drejtë kushtetuese si ajo e tubimit, por edhe për faktin se dita e enjte do të jetë një ditë që do ta gjejë kryeqytetin zyrtarisht pa policë dhe mund të ketë terren të lirë për krimin, vjedhjet dhe rrezikshmëri të lartë për bizneset. Ky fakt tregon qartë se kemi një organizim policor që lë për të dëshiruar, dhe që nuk kontrollon dot të gjithë territorin në të njëjtën kohë”- thuhet në deklaratën e protestuesve.

Policia ende nuk ka reagur në lidhje me refuzimin e protestës e cila ishte planifikuar të zhvillohej të enjten në orën 12:00 përpara Parlamentit me titullin “LEK Shpërndarja”.

Protestuesit akuzojnë policinë se me këtë akt po shndërrohen në avokatë të interesave të politikanëve.

Ne protestuesit, të indinjuar nga refuzimi i kësaj të drejte kushtetuese shkojmë më tej duke besuar se Policia e Shtetit me këtë akt, po i shtohet rradhëve të politikanëve, duke u shnderruar në avokate e interesave të tyre dhe të CEZ Shpërndarje”, thuhet në deklaratë.

Redaksia online
(o.m/shqiptarja.com)