Ndikimi i Erdoganit te turqit jashtë vendit

Ndikimi i Erdoganit te turqit jashtë vendit

Turqit jashtë vendit

Shumë krerë shtetesh morën pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit turk Erdogan. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të turqve jashtë vendit. Këta janë veçanërisht të rëndësishëm për Erdoganin - edhe në Gjermani.

Ministri gjerman i Bujqësisë Cem Özdemir, vetë me prejardhje turke,  nuk ishte në humor për të festuar. Pas fitores së Erdoganit në zgjedhje, ai shprehu zhgënjimin e tij dhe bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor të politikës së qeverisë gjermane ndaj Turqisë. “E pamë se çfarë ndodhi me Putinin, e pamë se çfarë ndodh kur zbukurojmë realitetin”, tha politikani i partisë Të Gjelbërit. Ai parashikon një rritje të nacionalizmit dhe fundamentalizmit turk në Gjermani.

Ministri kritikoi edhe turqit që jetojnë në Gjermani, që festuan me bujë në rrugët e Gjermanisë  fitoren e Erdoganit. “Ata i bien borisë për dikë që po e kthen vendin në një burg të hapur, por njëkohësisht gëzojnë avantazhet e demokracisë liberale që kemi këtu”, kritikoi Özdemir.

Ministri gjerman  i Bujqësisë Cem Özdemir, vetë me prejardhje turke,  bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor të politikës së qeverisë gjermane ndaj Turqisë.

Gökay Sofuoglu, kryetari i Komunitetit Turk në Gjermani (TGD), e kritikon qëndrimin e ministrit gjerman. Ai tha se nuk duhen sulmuar të gjithë votuesit me origjinë turke që jetojnë në Gjermani. Në një intervistë për DW, ai tha se në Gjermani jetojnë rreth tre milionë turq. Nga këta votuan rreth 500 000 vetë për Erdoganin. Në relacion me numrin e përgjithshëm të turqve në Gjermani, ata përbëjnë vetëm rreth 17 për qind.

65 për qind votuan Erdoganin dhe Aleancën e tij Popullore

Kemal Bozay, profesor në Qendrën për Kërkimin dhe Parandalimin e Radikalizimit në Universitetin Ndërkombëtar të Këlnit bën një llogaritje tjetër. Fakt është se mbi 65 për qind e shtetasve turq që jetojnë në Gjermani e që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ia dhanë votën Erdoganit dhe Aleancës së  tij Popullore. Bozay shton se, në zgjedhjet parlamentare,  disa votues votuan edhe për partinë ultra-nacionaliste MHP. MHP është një aleate e rëndësishme e  Erdoganit. Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), ajo rrjedh nga organizata nacionaliste e djathtë, Ujqit Gri.

Turqit që jetojnë në Gjermani, e festuan me bujë në rrugët e Gjermanisë fitoren e Erdoganit.

Për Bozay-n nuk duhet anashkaluar fakti se ndikimi konservatoro-nacionalist dhe ekstremist fetar tek njerëzit me origjinë turke po rritet. Sipas mendimit të tij, organizata të tilla si Unioni i Demokratëve Ndërkombëtarë (UID), një organizatë lobuese e partisë turke në pushtet AKP, Unioni Turko-Islamik i Institutit për Fenë (DITIB), i cili dërgon imamë nga Turqia, komuniteti islamik Millî -Görüs (IGMG) dhe Federata e Shoqatave Idealiste Demokratike Turke (ADÜTDF), e cila shihet  si një "grupim ujqish gri", po ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të këtij ndikimi.

Politika dezintegruese në emër të AKP-së

UID u themelua në vitin 2004 si një organizatë lobuese e partisë qeverisëse turke AKP në Këln. Tani ajo është grupi më i madh që lobon  pro qeverisë e që bën fushatë intensive për politikën aktuale turke dhe përpiqet të ndikojë në formimin e opinionit të komunitetit turk. Selia e saj është në Këln dhe sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës ajo ka 15 shoqata rajonale në mbarë vendin, të cilave u përkasin disa shoqata lokale.

Fakti që organizata  të tilla ombrellë veprojnë si bazë për fushatën zgjedhore të AKP-së në fakt nuk është problem, thotë eksperti Bozay. Por problematik bëhet kur kjo fushatë zgjedhore përhap qëndrime ekstreme të djathta, ultranacionaliste dhe ekstremiste fetare dhe propagandon qëndrime antidemokratike.

Me rreth një milion anetare, komuniteti më i madh turk jeton në landin Renani Veriore – Vestafali (NRW). Sipas Zyrës Shtetërore për Mbrojtjen e Kushtetutës, kjo paraqet një mobilizim dhe potencial të konsiderueshëm të votuesve, gjë që bie në sy nga një politikë shpesh që nxit mosintegrimin e diasporës turke.

Sipas autoriteteve, një pjesë e rëndësishme e kësaj politike konsiston në vënien në pah të vazhdueshme dhe përmes shumë kanaleve të ndryshme të rasteve të supozuara ose aktuale të racizmit, islamofobisë dhe armiqësisë ndaj Turqisë në shoqërinë gjermane dhe shtetin gjerman. Nga ana tjetër, theksohet vlerësimi dhe rëndësia e madhe e komunitetit që jeton në Gjermani për qeverinë turke. Për të arritur tek njerëzit me origjinë turke dhe për t'i lidhur ata ngushtë me Turqinë, këto organizata përhapin narrativat e qeverisë turke.

"Ushtarë krenarë të Erdoganit"

Një vështrim në kanalet e mediave sociale të UID tregon se çfarë do të thotë kjo. Në një video të regjistruar përpara pallatit presidencial të Erdoganit në Ankara, kryetari i UID, Köksal Kus, mban një fjalim para një grupi të madh njerëzish që siç duket vinin nga jashtë. Në Evropë nuk është e lehtë të jesh mbështetës i AKP-së dhe Erdoganit, thotë  Kus në video. “Megjithatë, ju keni treguar se jeni ushtarë krenarë të Erdoganit”. Euforinë e shoqërojnë duartrokitjet dhe thirrjet në emër të Zotit. Ai vazhdoi: "Ju keni bërë një punë të shkëlqyer në të dyja fletët e votimit. Ne e shkruam këtë epope heroike së bashku." Më pas grupi marshon drejt hyrjes së pallatit duke përsëritur në ritëm: “Në krahun e kujt janë turqit jashtë vendit? Në krahun e udhëheqësit!”

Presidenti turk Tajip Erdogan (R) dhe gruaja e tij Emine Erdogan përshëndesin të ftuarit gjatë ceremonisë së tij të betimit në Kompleksin Presidencial, në Ankara.

UID ka qenë koordinator i fushatës zgjedhore me qendrën koordinuese të AKP-së për zgjedhjet e diasporës. Në bazë të të dhënave të UID, brenda një viti janë ngritur 750 përfaqësi në 180 rajone në mbarë botën, janë mobilizuar 15 000 të punësuar dhe më shumë se 30 000 vullnetarë për fushatën zgjedhore. Fotografitë tregojnë se ata shkonin nëpër shtëpia, shpërndanin pamflete dhe dhurata dhe çonin votuesit drejt qendrave të votimit. Edhe përfaqësuesit e UID i kanë vizituar qendrat e votimeve. Në mbrëmjen e zgjedhjeve, ata u rrinin te koka ndihmësve gjatë numërimit në Ankara. Një punonjëse e zgjedhjeve të opozitës nga Gjermania thotë se këto vizita nga përfaqësues të shumtë të UID i konsideronte jashtëzakonisht të pakëndshme dhe një përpjekje për intimidim.

Roli i xhamive

Që nga futja e të drejtës së votës për turqit që jetojnë jashtë vendit, shoqatat e xhamive janë kritikuar shpesh. Ato akuzohen se kanë bërë fushatë për qeverinë turke. Emrat më të lakuar janë  DITIB dhe Bashkësia Islame Milli Görüs (IGMG). Organizata më e madhe ombrellë myslimane DITIB i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk i toleron eventet e fushatave dhe reklamat për partitë në komunitetet e saj. Por ajo shton se nuk ka asnjë ndikim mbi faktin, që hyrjet e objekteve të DITIB liheshin si pikë takimi për transportin e votuesve në qendrat e votimit.

Megjithatë, DITIB nuk e ka komentuar propagandën qeveritare të disa imamëve. Para zgjedhjeve, disa imamë përhapën fjalën se fuqitë e huaja donin të ndanin Turqinë. Është koha për të luftuar për fenë, autoritetin fetar dhe flamurin turk, thoshin ata. Pothuajse të gjithë imamët e punësuar në xhamitë turke dërgohen nga Ankaraja. Ata janë nëpunës civilë turq që paguhen nga autoriteti fetar i Diyanetit. Diyanet i raporton drejtpërdrejt presidentit turk Erdogan.

Thirrje për politika aktive me turqit e Gjermanisë

Ministri gjerman Cem Özdemir është i shqetësuar se brezi i ardhshëm i imamëve të dërguar në Gjermani mund të jetë edhe më nacionalist dhe fundamentalist. Arsyeja për këtë është se Erdogan e ka zgjeruar aleancën e tij me aleatët e tjerë nacionalistë, islamikë dhe antisemitë. Studiuesi i ekstremizmit Bozay ka të njëjtin shqetësim.

Sidomos këtu ne kemi nevojë për një politikë pjesëmarrjeje aktive që të mbledhë të rinjtë me origjinë turke dhe t'i përfshijë ata në strukturat sociale,” thotë ai. Është e rëndësishme që organizatat e djathta ekstreme, islamike dhe antisemite turke të përjashtohen nga proceset demokratike në vend. Por kjo do të ishte e mundur vetëm nëse qeveria gjermane do të  hartonte një politikë njohjeje aktive dhe do t’i  mblidhte të rinjtë në një fazë të hershme, thotë Bozay./DW

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Burri me një çantë me eksploziv, kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut (VIDEO)

Greqi/ Burri me një çantë me eksploziv, kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut (VIDEO)