VLORE - Një gomone me dy motorë e ngarkuar me rreth 2 ton lëndë narkotike kanabis, është djegur mesditën e kësaj të hëne në Gjirin e Gramës, në Vlorë. 

Dyshohet se trafikantët janë pikasur nga policia dhe në këtë moment për t'i shpëtuar forcave detare i kanë vënë flakën mjetit lundrues bashkë me kanabisin që ndodhej në të. 

Policia e Vlorës bën të ditur se transportuesit e lëndës narkotike janë italianë, pasi gomonia me të cilën ata udhëtonin rezulton e regjistruar në shtetin fqinj. Pasi kanë djegur gomonen, personat e paidentifikuar, sipas policisë janë dy trafikantë, janë larguar në drejtim të paditur. 

Policia vijon kontrollet në zonë për prangosjen e poseduesve të lëndës narkotike.

Operacioni
Policia e Vlorës ka pikasur në afërsi të Karaburunit mesditën e sotme një mjet lundrues i cili lëvizte me shpejtësi në det. Menjëherë në ndjekje të tij është nisur "Delta Force" dhe policia kufitare. Në këtë moment, trafikantët pikasin policinë dhe dhe devijojnë itinerarin, duke iu drejtuar Gjirit të Gramës ku edhe i venë flakën gomones bashkë me ngarkesën e drogës, e cila sipas policisë arrinte deri në 2 ton. Gomonia kishte dy motorë dhe rezulton me dokumente italiane. 

Trafiku i drogës
Rreth 2 ton drogë e llojit kanabis sattive ishte sasia e lëndës narkotike që do transportohej sot në drejtim të Italisë me gomone. Burime pranë Policisë së Vlorës bëjnë me dije se trafikantët janë shtetas italianë. Ata e kanë ngarkuar kanabisin në territorin shqiptar (ndonëse zona ende nuk është specifikuar) dhe menjëherë janë nisur në drejtim të Italisë, por janë pikasur nga policia shqiptare në afërsi të gadishullit të Karaburunit.  

[gallery]19657[/gallery]

(er.nu-l.q/shqiptarja.com)