Ardhja e një force të re politike në qeverisje do të thotë gjithnjë një erë ndryshimi për atë vend e kështu po ndodh edhe me Shqipërinë, që tani ka nisur të shohë me më shumë perspektivë nga e ardhmja. Një Shqipëri, që po përpiqet të shpejtojë hapat e saj drejt integrimit evropian e këtë, natyrisht që do ta bëjë me njerëzit e saj më të mirë, me ata njerëz që kanë marrë votëbesimin e popullit.

Vota e 23 qershorit konfirmoi se për të korruptuarit dhe të paaftët nuk ka më vend në administratën publike, pasi ata, jo vetëm që nuk bënë asgjë, por shfrytëzuan postin e dhënë dhe e kthyen atë në një ofiq personal. Një administratë, që këtë gjë e ka bërë për 8 vjet me radhë, duke mos menduar asnjëherë se i përkiste qytetarit dhe ishte në shërbimin e tij. Ata njerëz nuk e kanë bërë kurrë detyrën e tyre, sepse nuk kanë dashur, se kanë pasur në mendje vetëm të vjedhin ose nuk kanë ditur ta bëjnë atë, sepse kanë qenë të paaftë e militantë, ndaj duhet të largohen.

Ditët e fundit, po vërehet nga drejtuesit e Partisë Demokratike një “betejë” për të mbajtur në punë me zor këta njerëz që nuk dhanë asgjë kur ishin në pushtet. Z.Paloka, ju harroni që pushteti nuk është i përjetshëm e aq më tepër për ata njerëz që nuk mundën të bëjnë asgjë për këtë vend, madje e shkatërruan më keq atë. Cilët njerëz të aftë të qëndrojnë në administratën publike, ata që e shkatërruan sportin në 8 vitet e fundit?

Që me ardhjen e zyrtarëve tuaj në pushtet nisën spastrimi në sport, duke vendosur në krye të sportit njerëzit më të paaftë, që nisën një luftë personale dhe e çuan drejt greminës sportin shqiptar? Ish zv.ministri juaj, Ekrem Spahia, ishte dhunues dhe deklaronte pa turp se të majtët duhen larguar nga administrata.

Një njeri që nisi shkatërrimin e sportit dhe e çoi atë drejt humnerës e pasardhësit e tij e shtynë atë. Këta njerëz, jo vetëm që janë të paaftë, por edhe meskinë, duke zëvendësuar fjalën kundërshtarë (në termin sportiv) me armiq, duke krijuar federata me dy koka, duke futur përçarjen e urrejtjen në vend të bashkëpunimit. Këta njerëz nuk kanë më vend në sport.

Dhe ata njerëz janë jo vetëm në sport, por kudo, ndaj dhe vendi ynë duhet të shpëtojë një herë e mirë nga këta zyrtarë në largim, pasi abuzimet e tyre kanë qenë të mëdha, të evidentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Me çfarë mënyrash do t’i mbani në punë ende këta njerëz, z.Paloka, kur veprimet e tyre kriminale përbëjnë shkelje penale? 

Drejtues e zyrtarë që vodhën miliarda lekë në  Drejtorinë e Lojërave të Fatit, të cilët mund të jenë gjithçka, por vetëm njerëz në shërbim të popullit jo. Ish-drejtori Besnik Cobaj ishte abuzues me postin e tij dhe, bashkë me grupin e tij, bënë vjedhje marramendëse, që edhe sot rëndojnë në xhepat e shqiptarëve. Vjedhje që i dinin edhe zyrtarët e Ministrisë së Financave, por edhe këta heshtën e për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi penale e jo të qëndrojnë ende në punë.

Apo, mos vallë, e keni për zyrtarët e Kryeministrisë, që, me gjithë dokumentet e paraqitura për miliarda lekë abuzime me lojërat e fatit, bënë dikur një kontroll dyditor pa marrë parasysh fare ankesat. Apo mos e ke fjalën për Prokurorinë, që nuk i mori fare për shqyrtim ankesat për abuzime kolosale në shumë sektorë të vendit? Kjo Prokurori, që hesht, në vend të hetojë, në rast se nuk i çon ata para gjyqit, atëherë do të mbulojë edhe më tepër vjedhjen dhe po në të njëjtën mënyrë do të veprojnë edhe pasardhësit e tyre.

Sot, kur era e ndryshimit po na deh të gjithëve e na shtyn drejt një Shqipërie që vrapon për të shkuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të qëndrojë më në punë një administratë e tillë, e korruptuar deri në palcë. Një administratë, që këtë gjë e ka bërë për 8 vjet me radhë, duke mos menduar asnjëherë se në atë karrige ishte ulur prej votës së popullit dhe për të qenë në shërbimin e tij. Ata njerëz kanë pasur në mendje vetëm të vjedhin, ndaj dhe sot korrupsioni është një sëmundje alarmante në Shqipëri.

Ata janë të paaftë e militantë, ndaj duhet të largohen e jo të fshihen poshtë karriges, për të qëndruar ende në atë zyrë ku kanë abuzuar me postin. Sot Shqipëria, e rinia e saj në veçanti, sheh përpara me një tjetër vizion, atë të punës dhe integrimit, të një vendi që kërkon të ecë drejt një të ardhme më të mirë. Ky është një shans i mirë për këtë vend që nuk duhet humbur, por kjo gjë nuk bëhet me njerëz të vjetruar e pluhurosur në administratë dhe të ndryshkur prej korrupsionit disavjeçar.

Ata nuk kanë se çfarë t’i japin më Shqipërisë, përkundrazi ata e kanë vjedhur dhe shkatërruar këtë vend, duke futur në xhepat e tyre ato miliarda lekë, që sot duhej të ishin kthyer në spitale, rrugë, shkolla e më shumë mirëqënie. Ndaj sot nuk ka më kohë për të humbur me njerëz, që e dinë shumë mirë se cili është fundi i tyre, por duhet parë me optimizëm përpara, për të sjellë në shërbim të qytetarit dhe shtetit ata njerëz që kanë pasionin e dëshirën për të vrapuar drejt një Shqipërie evropiane.
 
Ky shkrim u botua sot në "Shqiptarja.com, versioni print, dt.13.10.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)