Ministrat e qeverive të Bashkimit Europian, të mbledhur të enjten në Luksemburg për një ditë të gjatë bisedimesh mbi politikat për ndryshimet klimatike, patën një pjesëmarrës të pazakontë në tryezën e negociatave: një foshnjë tre muajshe.

Ministrja suedeze e Klimës, Romina Pourmokhtari, mori me vete djalin e saj, Adam, për të vënë në dukje përfitimet e politikave të lejes prindërore, të cilat, sipas saj, nuk i detyrojnë gratë të zgjedhin mes punës dhe familjes.

“Doja të jepja një shembull se nuk është e nevojshme të bësh atë zgjedhje. Sigurisht, kjo kërkon edhe një partner që nuk është dinosaur, por modern dhe i gatshëm të jetë pranë,” tha Pourmokhtari për Reuters.

Një zyrtar i Këshillit të BE-së konfirmoi se, sipas dijenisë së institucionit, ishte hera e parë që një foshnjë merrte pjesë në një mbledhje të ministrave të BE-së.

Pourmokhtari, 30 vjeç, u bë ministrja më e re në historinë e Suedisë kur mori detyrën në vitin 2022. Ajo sapo është rikthyer nga leja prindërore, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në leje deri në zgjedhjet e Suedisë në shtator dhe udhëtoi me të në Luksemburg për t'u kujdesur për Adamin.

Suedia ka një nga politikat më bujare në botë për lejen prindërore, e financuar nga sistemi i taksave të larta të vendit. Kjo politikë është bërë edhe një çështje e debatit politik gjatë fushatës zgjedhore.

Prindërit përfitojnë rreth 16 muaj leje të paguar në total. Prej tyre, 90 ditë janë të rezervuara për secilin prind dhe nuk mund të transferohen. Nëse njëri prej prindërve nuk i shfrytëzon këto ditë, ato humbasin. Këto periudha të patransferueshme, të njohura shpesh si “muajt e babait”, u krijuan për të nxitur baballarët të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre.

Ajo shtoi se politikat mbështetëse nuk lidhen vetëm me financimin e lejeve më të gjata prindërore, por u bëri thirrje qeverive të shqyrtojnë edhe rregulla më fleksibël për ndarjen e lejes mes prindërve dhe kujdes më të përballueshëm për fëmijët.

Zëvendësministri polak i Klimës, Krzysztof Bolesta, tha se prania e foshnjës nuk krijoi asnjë problem gjatë takimit politik.

“Mendoj se është fantastike. Nuk është pengesë, është thjesht pjesë e jetës,” tha ai për Reuters.