TIRANE - Kur na ndajnë vetëm disa orë nga raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pas dështimit të dy raundeve të para, kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka në një intervistë për A1REPORT ka deklaruar se pret një dështim të tretë. Sipas tij, PS e ka kandidaturën e vetë për president dhe ai është Fatos Nano. Opozita – ka theksuar Ndoka - e ka nxjerrë veten jashtë loje me ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër mazhoranca është përpjekur të luajë me kërkesat e konsensusit, të cilat janë një çoroditje për opozitën.

“Është shumë pozitive që një kandidat të vetëshpallet për president përpara të gjithë shqiptarëve dhe deputetëve. Nano ka eksperiencën e duhur për ta bërë rolin e presidentit. Nano është një person mbi palët. Procesi është mjaft delikat për vet faktin se PS nuk u fut në kohën e duhur për t’u bërë pjesë e procesit, pasi është shumë i rëndësishëm propozimi i emrave dhe PS i kishte të gjitha mundësitë që të futej me kandidatura potenciale, sot jemi në një faze ku kërkohet konsensusi nëpërmjet takimeve të kryetareve të partive, e kanë kthyer parlamentin në një garizion ushtarak ku nuk votohen idetë, kandidaturat, nuk mbështesin personat që kanë vlera. 3 raundet kushtetuese janë të dështuara”, theksoi Ndoka.

I pyetur për SMS-të e dërguara nga Rama deputetëve të tij për emrin e presidentit dhe pse PS nuk ka një emër konkret, Ndoka tha është një mungesë serioziteti që emrat të sillen nëpërmjet një mesazhi pasi zgjedhja e Presidentit është një proces i rëndësishëm dhe duhet të ketë seriozitet maksimal.

“Duhet të jetë përgjegjësi e lidershipit të PS për të promovuar emra të rinj, por ky proces ka munguar. Rama nuk ka zhvilluar një proces brenda për brenda opozitës dhe nuk është në një linjë me PBDNJ dhe partitë e tjera. Votat tona përfaqësohen nga deputetët në parlamentin e Shqipërisë”, tha Ndoka.
Atë mes Ramës e Berishës, Ndoka e cilësoi si një takim që nuk pati ndonjë rezultat. Kreu i demokristianëve gjykon se Rama i dha më shumë mundësi mazhorancës me anë të këtij takimi për ta sulmuar.

I pyetur përse opozita nuk e votoi në Parlament kandidaturën për president të propozuar nga mazhoranca, atë të Xhezair Zaganjorit, Ndoka foli për një ngutje të mazhorancës për ta shpallur një kandidaturë të tillë, por sipas tij ishte pozitive heqja dorë nga emra e drejtuesve të PD për postin e presidentit.
Ndoka tha se tani opozita kërkon garanci kushtetuese por sipas tij ajo është vetë fajtore për dëmtimin e procesit së bashku me PD-në dhe nëse do të ndodhë zgjedhja e presidentit me 71 vota ky do të ishte një gabim fatal për vendin.

(kz/shqiptarja.com)