Afro 9 mijë tonë mbetje urbane depozitohen çdo vit në  fushën e Orikumit  prej 20 vitesh, mes të cilave dhe shumë kafshë të ngordhura, por nuk mungojnë gomat e makinave dhe mobiljet e vjetra. Era e rëndë e tyre ndjehet dhe në qytet, të cilin mjafton të fryjë një fllad i lehtë dhe mbulohet nga qeset. Ndërsa kur erërat janë të forta, pamja nuk ka nevojë për koment.

Administratori i Njësisë Vendore të Orikumit, Selim Haskoçela nuk jep asnjë  shpresë se kjo pamje skandaloze vetëm pak metra nga rruga nacionale dhe By Pass-i që lidh Vlorën me Palasën do të ndryshojë edhe pas këtij sezoni turistik. Sipas tij, kjo problematikë vijon të paktën prej vitit 2021dhe nuk ka gjasë të ndryshojë pa përfunduar landfilli i Sherishtës.

“Ne kemi bërë presion bashkisë dhe bashkia pranë qeverisë por ende nuk është bërë e mundur hapja e landifillit të Sherishtës. Ka fjalë që në tetor do të nisë të operojë Sherishta por ne me fjalë jemi ngopur! Ka ngecur pa hapur për shkaqe burokratike. Ne përmes televizionit tuaj, i kërkojmë qeverisë ta hapë së më shpejt sepse gjendja në Orikum është kritike si për banorët ashtu dhe për turistët”, tha ai.

Fusha e mbetjeve urbane menaxhohet sot nga Bashkia e Vlorës, ku Orikumi është njësi e saj vendore. Ndërsa vendimi për ta kthyer këtë fushë fare pranë qytetit në vend depozitim mbetjesh është marrë 20 vite më parë, në 2004, nga Këshilli Bashkiak i kohës. Ky vendim, sipas administratorit aktual, është i paligjshëm.

Pa u ndërtuar landfilli i Sherishtës ku do të depozitohen mbetjen e Bashkisë së Vlorës, të Selenicës dhe Njësisë së Orikumit, kjo pamje do të shoqërojë si banorët e zonës, ashtu dhe me qindra  turistë vendas dhe të huaj që kalojnë në këtë aks për të shkuar në plazhet e jugut.