TIRANE- Ministria e Arsimit ka publikuar sot kriteret e paplotësuara të tri shkollave të larta private. Bëhet fjalë për institucionin e arsimit të lartë jopublik “Gjon Buzuku”, “Medicom” dhe “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”. Secili prej këtyre institucioneve ka një sërë kriteresh të papërmbushura, por duket se “Nëna mbretëreshe Geraldinë” ka mbajtur rekord, duke mos plotësuar 24 nga 37 kriteret e kërkuara.
 
“Gjon Buzuku”
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Plarent Ndreca, shkolla e lartë “Gjon Buzuku” ka shkelur 16 nga 37 kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit. Kjo shkollë është licencuar dhe është pajisur me leje për zhvillimin e veprimtarisë sipas një strukture të përbërë nga 2 fakultete, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, ndërsa për Fakultetin Ekonomik nuk ka vendim në lidhje me licencimin e tij, por vetëm të disa programeve.
 
Veç këtyre, universiteti përdor nëpër broshura dhe faqen e website emrin si Universiteti i Shkodrës “Gjon Buzuku” duke çorientuar studentet. Nga ana tjetër, sipas Ndrecës ky institucion i arsimit të lartë rezulton të mos ketë numrin e personelit të kërkuar, por edhe ai ekzistent nuk ka kualifikimin e nevojshëm. Gjithashtu ka mungesë të dokumentacionit në dosjen e studentëve dhe mungojnë elementet e sigurisë, si dhe janë bërë regjistrime të studenteve jashtë afateve të përcaktuara.
  Shkeljet e plota të gjetura nga Ministria e Arsimit për Gjon Buzukun

“Medicom”

Sa i përket Kolegjit profesional “Medicom”, ai ka shkelur 17 nga 37 kriteret. Një ndër to është fillimi i aktivitetit një vit më parë se të plotësonte dokumentacionin, nuk ka numrin e kërkuar të personelit dhe kualifikimin e duhur të tij.
 
Ndërkohë që sipas sekretarit të Ministrisë së Arsimit, “Medicom” ka deklaruar të dhëna të rreme pranë Ministrisë së Arsimit. Në janar ka deklaruar 136 studente ndërsa në prill 300 të tillë. Ndreca thekson se ky kolegj nuk garanton vazhdimësinë akademike dhe nuk siguron kompensimin financiar të studenteve në rast falimentimi. Nga ana tjetër, ka studentë që nuk figurojnë të jenë regjistruar në regjistrin themeltar.
Shkeljet e plota të gjetura nga Ministria e Arsimit për Medicom
 
“Nëna Mbretëreshë Geraldinë”
Sipas Ministrisë së Arsimit, shkolla e lartë “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” u mbyll pasi nuk plotësonte 24 nga 37 kriteret e kërkuara. Në programin e infermierisë i kanë filluar regjistrimin dhe mësimdhënien 2 vite para licencimit dhe në programin e ciklit të ulët “Mësuesi” një vit para se të regjistroheshin. Ky institucion ka diplomuar studentë përpara se të akreditohej, nuk kanë numrin minimal të personelit, nuk kanë kualifikimet e duhura, janë deklaruar të dhëna të rreme pranë institucioneve shtetërore, regjistrimet e studentëve nuk janë me data progresive, por janë bërë tejkalime datash dhe vitesh.
  Shkeljet e plota të gjetura nga Ministria e Arsimit për Nëna Mbretëresha Geraldinë

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)