[gallery]18914[/gallery]
1
Atroi me një ndjeshmëri të lartë! Aty krijoi dhe profilin e tij artistik dhe të veçantë. I skaliti. U dha botë, jetë e kujtesë. Edhe pse në këtë “pozicion pothuajse mbeti”, shtypi nuk heshti, nuk e mënjanoi, nuk e harroi; e kujtoi herë pas here, duke e quajtur herë: “Aktor i rolit të gjyshërve”, e herë “Mjeshtër i madh i “foleve të vogla””.
Mendoj se, kjo lloj tipologjie aktori, “që ekziston, por nganjëherë nuk vihet re”, siç ishte Ndrek Prela me dritën e tij aktoriale, kërkon një studim më vete. Një studim… se si aktori në mjeshtërinë e vet, në marrëdhënie me regjisorin e shfaqjes apo në laboratorin e tij krijues, “qëndis” rolin e tij dhe i jep “frymë” jete. Se si aktori… e kujtoj dhe tani thënien e tij (ndonëse fliste pak dhe ishte fjalëpak): “Ka vetëm aktorë të mëdhenj dhe aktorë të vegjël”, dhënë gjatë një interviste të bërë me të, me 05.08.1994.
Ndoshta kjo thënie, sigurisht e dalë nga zemra, ishte motoja e tij… Ndoshta… Ndoshta, kjo ishte dhe arsyeja që jetën e tij e njëjtësoi me skenën. (më se 60 vjet në skenë dhe në ekran.) Aq sa… edhe deri në momentet e fundit të jetës së tij, edhe pse ishte 91 vjeçar, ende donte ta shihte skenën…, të ngrohej nga malli e kujtimet, kërkonte lulimin e dëshirave dhe ripërtëritjen e shumë gonxheve-ëndrra, “të bisedonte” me personazhet, “të ritakonte” kolegët… (regjisorët: A. Skanjeti, L. Shllaku, E. Oktrova, E. Kadria, S. Fanko… aktorët: Z. Jubani, A. Kastrati, V. Nino, T. Kurti, L. Bushati, V. Sekuj, B. Shiroka, R. Ljarja, Ymer Bala…).
Ende donte ta prekte e ta puthte skenën…, edhe pse loti i mplakur herë pas here ‘ia lagte’ faqen si dhembje, edhe pse ballit i shtohej një rrudhë më shumë… “Kjo nuk është e fundit…” – sikur i thonte shpirti dhe mundohej Ndrekës t’i jepte forcë dhe energji. “Kjo nuk është e fundit…” – pëshpëriste aktori Prela, teksa interpretonte një rol jo të fundit, kësaj here pa regjisor. “Kjo nuk është… e… fundit..(!)”
E, Artisti i Merituar Ndrek Prela nuk ngopej së shikuari skenën, dritën dhe nurin e saj, ku rinia dhe pleqëria e tij u bënë personazhe për më shumë se 6 dekada. “Role të vogla dhe art i madh”, - e ka quajtur kritika e kohës. “Ai e do personazhin, ashtu të vogël, siç ia kanë dhënë, dhe kësaj gjëje të vogël i jep shpirt, projekton në vetveten dhe s’na lë ne të rrimë shpërfillës ndaj së voglës, ndaj së vërtetës, - citohet në revistën “Skena dhe ekrani” të vitit 1990.
Edhe një veçori për Ndrekën. Sapo merrte një rol, shkonte të gjuante peshk në Liqenin e Shkodrës. Natyra emotive e tij ia bënte të detyrueshme këtë. Ai, pa dyshim, që ushqente dashuri për peshkimin, atmosfera pranë liqenit, larg rrëmujës së qytetit në qetësi e vetmi, e bënte të ndihej mirë vetëm për vetëm me rolin e ardhshëm, me të cilin “bisedonte”.
Skena i fali magji. Kur…, edhe ai në vetvete, edhe pse ishte “vogëlak” nga trupi – ishte një magji. Magjia – Ndrek, sikur u thotë, edhe sot njerëzve: “Duajeni artin… Sepse sa më shumë që ta doni atë, aq më pak punë do të kenë gjykatësi e polici.”
Magjia – Ndrek, ku për e (në) interpretimin e tij, kërkonte papushim e gjente si thesare një seri mjetesh shprehëse (regjisoriale dhe aktoriale), ku vetvetja e tij shprehej në lartësinë e vokacionit, të cilën e shihte të rëndësishme e jetike për një artist, të jetuarit artistikisht të tij.
Në finale, sikur e ftonte një Formulë Pagëzimi, e cila thoshte: ‘Duhet të mbetesh në mendjet e njerëzve dhe në përcjelljen e gjeneratave… Duhet t’u dhurosh vlerat e roleve dhe shenjat semiologjike të ARTISTIT.’
Drejt kësaj të vërtete e fisnikërie prirej, drejt kësaj shkonte…
2.
Ndrek Prela 91-vjeçar!..
Vjen një ditë e njeriu plaket. Kujtohet për gjithçka dhe pyet veten: “Kush kam qenë? Cila ishte jeta ime?” E këto pyetje ia ka bërë vetes edhe Ndrek Prela kushedi sa herë dhe, përgjigjet kanë qenë, se nuk i ka shkuar asnjëherë në mendje se një ditë do të bëhej aktor i njohur e me emër… E, këto përgjigje sikur e përligjte me leximin-mbresëlës të romanit të shkrimtarit amerikan Shtainberg. I pëlqente, pikërisht, ky fragment: “Na andërrimtarët e shkretë që dojshim me mësue kohën, s’e dinim ç’do të bëheshin fëmijët tanë…”. Kështu që shumë ëndrra nuk i realizoi. Shtegtoi pa ditur se ku po shkonte e ku po ndalej… Shpesh në brigje të panjohura e të papritura, ndonëse udhëtimi i tij kërkonte rrënjët e të parëve, rrënjët e aromës dhe bujarisë së shqiptarisë.
Lindi në Tivar (Mali i Zi) me, 13 mars 1920, në një familje intelektuale. Në moshën 5-vjeçare erdhi për herë të parë në Shkodër, ku si shumë shtegtarë të tillë me prejardhje shqiptarie e ëndërronin këtë qytet Verior që, për vlerat (veçanërisht kulturore) i kishte dalë nami në Ballkan e diçka më larg. E pëlqeu këtë qytet familja e Ndrekës. Erdhën familjarisht. Por… shumë shpejt, në vitin 1927 shtegtuan përsëri… kësaj here drejt Argjentinës.
Por… kriza e madhe botërore i riktheu sërish në Shkodër, në qytetin e ëndrrave, në vitin 1934. Gjatë viteve ’40 – ’41 mori maturën. Më pas shkoi në Firence për farmacist. Qe një bjerrje kohe për 2 vjet. Se kur u kthye në Shqipëri, nuk iu dha e drejta të vazhdojë zanatin për çfarë kishte studiuar. Përtej lufta ishte kudo…
Është për t’u shënuar. E ëma e Ndrekës, Adelajde Gera, qe ndër mësueset e para të shkollës shqipe në Shkodër. Besojmë, se ndikoi në formimin e djaloshit të atëhershëm. Por cila do të ishte rruga e së ardhmes? I riu do të nisej për studime në Akademinë Ushtarake të Firences, shkollë kjo, që nuk qe vendimtare për Prelën…
Për të kishte qenë e shkruar që të bëhej aktor. Ndoshta askush nuk kishte menduar ndonjë lidhje me skenën apo filmin, por rastësia nuk është gjithmonë e tillë, së paku, në rastin e aktorit. Në shtëpinë e familjes Gera, nip në të cilën ishte Ndreka, organizoheshin karnavalet e Shkodrës. Dhe… ndoshta këtu ka qenë dhe lidhja e parë e padukshme e aktorit me profesionin e tij. Ndoshta…
3.
Çfarë më ka thënë Ndreka… (1)
“Unë jam msu me folë gjithmonë me letra përpara, çfarë ka shkruar Fadil Kraja, Gorki, Ibseni, Molieri, Ndrekë Luca… Unë nuk kam mendu asnjëherë se kam ba ndonjë punë kushedi se çka. Vetes nuk i kam njoftë ndonjë meritë. Veç, ama, kam punu me mish e me shpirt. Kjo asht e vërteta. Kjo asht merita që kam.
Kujtoj, që në Shkodër kam ardhë në moshën 5-vjeçare. Shkodra, më asht ba vendi im. Gjithashtu kujtoj, se shumë e shumë vite më parë në skenën e teatrit “Migjeni” kemi vu pjesën “Përmbysja” e Lavranjevit. Unë kisha rolin e komandantit. Dhëndërri im vjen e më thotë: “Unë do të iki prej këtij vendi! Unë do të iki, unë s’do të rri këtu!” Dhe unë i përgjigjem: “Prej çastit që do të kalosh këtë prag, do të jesh shtegtar i përhershëm! Pa Atdhe! E s’ka më kthim për ty!” E kujtoj këtë skenëz… se për Shkodrën time që m’u bë vendlindje, më dhemb përherë shpirti!”
Çfarë më ka thënë Ndreka… (2)
“Me ju thanë të drejtën dëshirën për t’u bërë aktor nuk e kam pasë ndonjëherë… Ndoshta ju duket çudi, por as nëpër mend nuk e kam çuar se do të bëhesha aktor.
Unë vetë e kam dasht teatrin, por e kam dasht thjesht si spektator.
Shfaqjet dramatike që janë dhanë në qytetin tim rreth viteve ’35, ’36, ’39, 40; i kam ndjek gati të gjitha, edhe më kanë pëlqy. I kam ndjek me qejf, por siç ju thashë gjithnjë si spektator, pa e pa veten në skenë, pa mendu të luaj në skenë ndonjëherë.
Shfaqje dramatike apo filma asokohe kam patur rastin t’i shoh edhe jashtë, në Itali. Atje kam pa vazhdimisht shfaqje, me aktorët më të mëdhej të Italisë së atyre viteve. Kam mbetë jashtëzakonisht i habitun prej interpretimit të tyre.
Ndoshta, kjo më ka vlejt edhe si një shembull që do të nevojitej ma vonë, sepse unë i shihja me sa pasion, e me sa dashuri e trajtonin ata rolin. E, kështu në dhjetor ’44-ës kam takuar Filip Ndocajn, një profesor në gjimnaz atëherë (që ishte edhe shkrimtar, e ka shkruar romanin “Vlaga e Dheut”). Filipin e kisha shok, ndonëse nuk ishim të një moshe.
Më thotë se donin të vinin në skenë një pjesë. – Hajde edhe ti, - më thotë. – Unë i thashë: po për çka?! -Me marr ndonjë rol, - më përgjigjet. –Jo, mos, po unë nuk kam dalë në skenë kurrë... –Hajde, mor se nuk asht ndonji gja e madhe, - ma kthen. Dona me vu “Bujtina e të vorfënve”, tash thirret “Fundërrinat” e Gorkit.
Unë atëherë e kundërshtova.
Ai më thoshte: ‘do të vish se s’ban...’ deri sa ma mbushi mendjen. Shkova. E m’u dha roli i Kastilovit. Personazhi ishte në moshë 80 vjeç. Pra, roli i parë për mua asokohe që isha 24 vjeç, ishte roli i një plaku. Ajo që më habiti ishte se kur dola në skenë, nuk më bani asnjë përshtypje. As njerëzit nuk më banë përshtypje që po më shihnin në skenë.
Për çudi kisha fituar një gjakftohtësi të rrallë, e kisha vetëm fare pak emocione, si me pasë dalë shumë herë në skenë. E dhashë atë rol e më përgëzuan se e kisha luajtur mirë. “Bravo! Shumë mirë! Shumë mirë!” Unë nuk e dijsha se kisha ba gja. Madje më vonë më kanë marrë ushtar. Ishte viti ’45. Kam qenë në Delvinë nja dy muaj. Më pas transferohem në Gjirokastër në grupin artistik të Dizionit të Parë Sulmues.
Krijoj një grup artistik teatror, ku jam dhe regjisor. Për 8 muaj vë në skenë 3 pjesë: “Tetoja e Karlit” e Tomas Brandonit, si dhe dy komedi: “Efrejmi deputet” dhe “Armiku i popullit” të H. Ibsenit. Isha sa aktor aq dhe regjisor në një trupë tërësisht amatore. Në fund të 1945-ës erdha në Shkodrën time të dashur për të cilën kisha ‘dobësi’, ku teatri diletant, nën drejtimin e regjisorit të atëhershëm, Andrea Skanjeti, më thirri të aktivizohesha në shfaqje të ndryshme.
Kjo vazhdoi deri sa u krijua teatri profesionist i qytetit. Tani, për mua nisi një udhë e re artistike…Domethanë, gati pa dashtë, u bana aktor. Pa e pasë menduar ndonjëherë.
Roli i parë ka qenë Bersolievi, është një pjesë sovjetike “Përmbysja” e Lavranjevit. Kisha rol komandantin e anijes, një rol shumë i bukur, shumë njerëzor, i cili më pat lënë mbresa të mëdhaja shumë. Mandej kanë ardhur rolet e tjera më vonë.
Këtu kujtoj ato role që i kam pasur më për qejf, më afër zemrës. Megjithatë unë jam përpjekë me ia bamë mundin punës edhe me rolet e tjera. Më kujtohet kemi pasë lujt një pjesë të Goldonit “Shërbëtori i dy zotnive”. Ndoc Ndreka edhe unë kishim rolin e dy hamajve. Që kishin dy fjalë gjithsejt. Këto u cilësuan si figurat më të bukura të pjesës. Sepse u munduam si ai si unë me ia ba “hyzmetin”.
E me thanë të drejtën për mua kështu asht në fund të fundit nuk ka role të mëdhenj e role të vegjël, ka aktorë të mëdhenj e aktorë të vegjël. Pavarësisht se kritika dhe spektatori sytë i kanë gjithmonë te aktori kryesor, e shpeshherë i lënë mbas dore këta rolet e dyta e të treta, që janë gjynah.”
4.
Role të Ndrekës në teatër: *”Shtatë shaljanët” (roli i Ndrekës), *”Trumbetjerja”, *”Tragjedi optimiste” (në rolin e marinarit), *”Kunora e Nurijes” (në rolin e Hoxhë Kobures), *“Lagjja e varfër”, *“Plaku i maleve” (në rolin e Sadriut), *”Familja e Adamit”, *”Këneta” (në rolin e inxhinier Mborjes), *”Fisheku në pajë” (në rolin e Gjelosh Nikës), *”Përkolgjinajt”, “Çështja e Blertës” (në rolin e Rahmi Sulës) etj.
Role të Ndrekës në film: Aktori Ndrek Prela interpretoi në 13 filma. Filmi i tij i parë është “Detyrë e posaçme”, 1963, ku ishte në rolin e një ndihmësmjeku, - që siç thoshte vetë – ‘vetëm të shëroja nuk dija’. Pastaj me kalimin e kohës merr pjesë tek filmat: “Vitet e para”, 1965; “Këneta” (lundërtari), kushtuar Avni Rustemit (fotografi), “Komisari i dritës”, 1966 (gjyshi i Shkabajve); “Operacioni “Zjarri”, 1973; “Shpërthimi”, 1974; “Në fillim të verës”, 1975 (babai plak i Verës, Riza Kora); “Në pyjet me borë ka jetë”, 1978 (plaku Xhiku); “Emblema e dikurshme”, 1979; “Balonat”, 1979 (në rolin gjyshi i Dritës); “Ditët që sollën pranverën”, 1979; “Qortimet e vjeshtës”, 1981; “Flaka e maleve”, 1982; “Militanti”, 1984; “Balada e Kurbimit”, 1990 (njëri nga kurbinasit).
5.
Çfarë më ka thënë Ndreka… (3)
Çfarë më ka thënë Ndreka… për figurën e plakut (gjyshit) që arriti të mos përsëriste vetveten, për raportet me partnerët, me regjisorët; me emocionet që fal filmi, si e koncepton aktorin-dublazh, cila është porosia për aktorët e rinj…
“-E kjo puna e lakut më mbeti “trashëgim” qysh në rolin e parë që pata. Mandej vazhdimisht gati të thuash më kanë ndjekur pleqtë. Pleqtë ose dhe burra të pjekun. Po unë i kisha qejf veç. I kisha qejf, edhe si ju thashë u mundojshim me mish e me shpirt me krijue diçka të re që shpeshherë s’ma kanë mbushë mendjen, mua vedit. Bile jo një herë më ka ndodhë me ardhë e me m’përgëzue njerëzit. “Faleminderit”, - i thoshja atij që më përgëzonte, po thosha me vete krejt në dyshim: “Ky s’kupton kurrgja!” Unë s’e di se kam ba ndonji send!
Kjo ndoshta, sepse kam qenë shumë kërkues ndaj vetes, kam qenë shumë kërkues edhe ndaj të tjerëve, “i kam mërzit” si thojmë na, i kam ba me lujtë mendsh.
-Unë kujtoj gjithmonë aktorë si Adem Kastrati. Një aktor i madh për mua, me të vërtetë i madh. Komunikonte mirë, ishte i sinqertë, pa lojna. Kujtoj gjithmonë Vitore Ninon, që gjithmonë ka interpretuar e kurrë nuk ka “luejtë”, Violeta Sekujn, Bep Shirokën, Ymer Balën, etj. Kanë qenë partnerë që e ndihmoshin partnerin e frymëzoheshin dhe kam punuar me dëshirë me ta.
-Me regjizorët unë nuk kam qenë ndër aktorët që jam afruar shumë me regjizorët. Nuk i kam kërkuar ndonjëherë në jetën time rol ndonji regjisori, kurrë. Kam pasur dëshirë që të më jepej një iks rol, p.sh. ...., nuk më është dhënë, mua nuk më ka ardhur mirë, sepse e shihja se kisha mundësi me e ba, po prapë nuk më ka mbetë hatri. Më asht dhanë një rol tjetër e jo ai që dëshiroja, e unë prapë jam munduar të baj punën time, të aktorit.
-Kinematografia asht e bukur! Por teatri, për mua, asht ma i bukur! Mendoj se asht ma i bukur, sepse teatri të jep mundësi ta fillosh rolin dhe ta çosh në rritje deri në kulm, pa ndërprerje. Kurse kinematografia, mendoj se copëzohet, nuk jep mundësi, duhet me kenë shumë-shumë i kujdeshëm për të kapë çastet kulminante, pa nji pregatitje paraprake.
Në kinematografi dihet, tashti xhirohet një aspekt; mbas dy orësh një aspekt tjetër jete... Por, edhe në kinematografi aktori duhet të jetë sa më i sinqertë, me një fjalë duhet të interpretojë dhe jo të ‘lozë’. Interpretimi asht e vetmja rrugë për në kinematografi mendoj, loja gjithmonë dështon.
-Dublazhi asht nji leverdi e teatrit për me pasë një lojtar rezervë. Asht nji fatkeqësi për aktorin se krijon gjithmonë antagonizma ndërmjet aktorëve. Gjithmonë mendoj se dublazhi ka vetëm anë negative dhe asgja pozitive.
Më kujtohet një herë ishim dublantë në një pjesë. Në fakt nuk më kanë trajtuar mirë në teatër, po çeli një kllapë të vogël këtu. Mjafton fakti se unë kam hyrë në teatër me kategori me të cilën kam filluar. Mbas 20 e sa vjet pune, ’49 – ’75 s’jam kategorizu asnjë herë. Do të bëhej një shfaqje dhe do të vinte një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit për ta parë. I them aktorit, të cilin e dublojsha: “A po më len me e luejt unë sonte?” “Po, mor, po…” – më thotë ai. Kur shkova me u veshë e gjeta të pregatitur para meje. Ishte vesh krejt. M’u prish qejfi! Dhe vetëm heshta. Shumë here kam heshtur…
Siç e thashë: dublazhi asht vetëm për leverdi të drejtorisë për me pasë një lojtar rezervë. Ajo është leverdia, mendoj unë. Nji gja më ka ardhë keq, gjithë jetën aktori nuk asht shpërblye si duhet, nuk i asht dhanë mundi. Aktori ban sakrifica të mëdhaja. Ka pasë raste që aktori, njeri ose tjetri, kanë pasë dhe njerëz të afërm shumë të sëmurë, janë detyruar të dalin në skenë. Ka qenë i shtruar në spital, kanë shkuar me makinë e kanë marrë për me shfaq pjesën.
Më kujtohet në një film. Isha me Rikard Ljarjen. Përnatë në orën tetë shkonim në hotel e hanim bukë e rrush, se nuk na qitte hesapi i rrogës... megjithëse u tha se kjo punë do të shikohet... etj., etj. Domethanë i asht dhanë aktorit minimumi. Gja që ishte në dam të punës.
-Unë do t’i këshilloja të gjithë të rinjtë, tashti kjo këshilla ime mund të tingëllojë edhe pak si e vjetëruar, por unë nguli kambë në të: Do t’u këshilloja atyre: që të ndjekin gjithmonë rrugën e interpretimit e jo të lojës. Interpretimit të sinqertë me zemër, e jo në sipërfaqe, sepse me atë interpretim ndihmojnë edhe partnerin, kurse loja, partnerin nuk e ndihmon aspak.
Unë do t’u këshilloja aktorët e rinj të lexojnë me vëmendje monologun e Hamletit në tragjedinë “Hamleti”, aktin e tretë, skenën e dytë, ku dhe janë këshillat që Hamleti u jep aktorëve. Mendoj se, ai është mësimi më i mirë fillimisht për aktorët e ri. Ta lexojnë me vëmendje!”
6.
Roli i fundit. Në vitin 1975 Ndrek Prela del në pension. E nxorën në pension, sepse “mbushi moshën…”. E nxorën në atë kohë kur teatri kishte nevojë më shumë se kurrë për të, sepse ishte e pamundur të zëvendësohej një artist kaq i madh. Përsëri nuk bëri zhurmë. E dinte se herët a vonë do të kujtohen për të. Siç u kujtuan… pas 9 vjetësh. E thirrën, bile e lutën të interpretonte Rahmiun tek “Çështja e Blertës” dhe i përloti të gjithë (spektatorët). E thirrën tek “Franku i V-të” dhe i mahniti (spektatorët). Me këto dy shfaqje i vuri kapak punës së tij aktoriale ky artist i madh.
Po Ndrek Prela, çfarë më ka thënë për rolin e fundit? (4)
“Edhe roli i fundit ka qenë një plak, në fakt ai ishte nji burrë i pjekun, afër pleqnisë, me djelm të rritun, e kam fjalën për Rahmi Sulajn te “Çështja e Blertës”. Pra, e mora këtë rol, e shikova... Ishte një rol që me të vërtetë të frymëzonte. Një rol që të bëntë të dridheshe, e unë mendova me e paraqitë këtë njeri, se ishte me të vërtetë njeri ky Rami Sula. Në interpretimin tem kërkojsha me e paraqitë sa ma të sinqertë, sa ma të ndershëm, me të gjitha karakteristikat e një njeriu me të vërtetë të mirë.
Sigurisht, kur jam mundu të krijoj figurën, kam pasë parasysh një njeri që kam njohtë në jetë e jam mundu të marr edhe mënyrën e veprimit të tij, mënyrën e të menduarit, mënyrën e të folurit... E, kështu ai mbetet një nga rolet që më kanë entuziazmu ma tepër.”
7.
Ndreka… e vërteta e këtij qyteti…
Bep Shiroka, Artist i Merituar: “Me Ndrekën më lidhin shumë kujtime. E kujtimet flasin për mësuesin, për partnerin, për shokun e mikun tim të disa dekadave, Ndrek Prelën.
Natyrisht, kur flitet për një periudhë të gjatë kohore, është e pamundur të mos përmendësh bashkudhëtarët e Ndrekës, ata që nuk jetojnë e ata që jetojnë: të cilët në miqësinë tonë, në shoqërinë tonë dhanë aq shumë për Shkodrën, si: Nd. Prela, Z. Jubani, A. Kastrati, V. Nino, T. Kurti, P. Lacaj, P. Lëkunda, A. Fishta, Y. Bala, etj. I dhanë talentin, kulturën teatrore, galerinë e pafund të personazheve qytetit të Shkodrës. E qyteti i Rozafës kurrë nuk i harron. Se Ndrek Prela me kolegët bashkëkohës janë si ata gurët e fortë që formuan themelin e kulturës shkodrane, e në veçanti fytyrën e teatrit “Migjeni”.
Ndrek Prela punoi shumë e shumë vite me radhë në teatër. Asnjëherë nuk diti të fliste për vete. Nuk diti kurrë me thanë një fjalë, se unë, unë, unë… Këtë “uni-in” nuk e njohu kurrë. Ai, punën e tij të bukur, të mirë e fisnike nuk e shkëputi kurrë nga puna me shokët e tjerë. Ndaj, krijoi kaq figura të besueshme, të bukura, që nuk harrohen në teatër e në kinematografi. Jo vetëm kaq, por Ndrekë Prela me ditarin e jetës së tij prej qytetari e artisti është krenari e vërtetë e qytetit, është e vërteta e këtij qyteti.
8.
Ndrek Prela ka interpretuar Ndrek Prelën…
Fadil Kraja, Mjeshtër i Madh e dramatug: “Ndrek Prela, në të gjitha rolet që interpretoi, ishte logjik, bindës, do të thoja mishërimi i të mirit, të drejtit, patriotit, trimit, i njeriut me zagushi të brendshme. Për këtë bindesh kur shfleton arsenalin e figurave që gdhendi me talentin e fuqinë interpretative. E studionte rolin në thellësi. Për javë e muaj të tërë e jetonte atë si në teatër aq edhe në familje. Studionte çdo detaj. Vuante, dridhej, bëhej nervoz me veten e pastaj me të tjerët. Skrupuloz deri në ekstrem. Edhe për gjërat më të vogla. Kërkues i rregullit në prova dhe në shfaqje. I tillë mbeti Ndrek Prela, i tillë do të kujtohet përgjithnjë…
Më kujtohen shfaqjet e dramës “Fisheku në pajë”, ku Ndreka luajti Gjelosh Nikën mbi 200 herë, pas vdekjes së aktorit të teatrit Prenkë Lëkunda. Dhjetë minuta para shfaqjes, qoftë ajo edhe shfaqje në fshat; Ndreka ishte në shkallët e drunjta të skenës duke kontrolluar kandilin, kutinë e duhanit, pushkën, postiqet… Kështu edhe te drama “Çështja e Blertës”, e shihje tek dridhej i tëri para gjykatësit. I mbusheshin sytë me lot. Fërkonte duart për xhaketë.
Bebëzat e syve i ndrisnin e zëri i dilte aq i dhimbshëm sa dukej që mbronte në atë gjyq bijën e vet të vërtetë, e jo të dramës. Dhe pas shfaqjes dilte aq i lodhur, dhe aq i djersitur sa të impononte adhurim e respekt.”
9.
Ç’të kujtojmë më parë nga jeta e Ndrek Prelës?..
Qytetin San Rafael të Argjentinës, kur një shqiptar i vogël 13 vjeçar, bir i një emigranti, interpretonte me suksese rolin kryesor në një tablo muzikore që shfaqte shkolla e tij, apo fëmijërinë e tij plot çapkënllëqe, apo fëmijën lojcak e simpatik, apo aventurat në fushën e artit, apo njeriun që s’i pëlqente rakia e që kishte një dashuri të pamatë për gruan dhe fëmijët, apo merakliun që gjuante me çifte, apo të duruarin me orë të tëra atje në brigjet e Bunës apo të Liqenit të Shkodrës teksa gjuante peshk, apo “shërbëtorin e pa mërzitur” që kujdesej për lulet e oborrit që i kishte për zemër e traditë, apo kujdestarin e përkorë të hardhive që i rritte me kujdes, apo lexuesin dituror të dashuruar pas italishtes e spanjishtes, apo tifozin “e tërbuar” të “Vllaznisë”, apo tifozin brazilian…, apo shkëlqimin e roleve që kurrë s’u bënë meteorë, apo njeriun korrekt të një punë korrekte, apo për shkodranin që e deshi me gjithë zemrën e tij Shkodrën, për të cilën qeshi e qau, gëzoi e mjeroi… Apo për…
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com