Ndrenika dhe Viktor Zhusti
luajnë “Djemtë gazmorë”

Ndrenika dhe Viktor Zhusti<br />luajnë “Djemtë gazmorë”
TIRANE- Ndryshe nga herët e tjera Robert Ndrenika do të shfaqet ditën e diel në Teatrin Eksperimental (ish- Teatri i Komedisë) si një aktor kapriçioz, tekat e të cilit pritet të shkaktojnë shumë të qeshura. Aktori komik Will Clark i interpretuar nga Ndrenika është një ndër personazhet kryesorë të komedisë dramatike amerikane “Djemtë gazmorë” të Neil Simonit. Komedia “Djemtë gazmorë” do të jetë premiera e parë që do të prezantohet në skenën e Teatrit Eksperimental për këtë sezon artistik. Robert Ndrenika do të luaj Will Clark-un me Viktor Zhustin, i cili do të jetë në rolin e një tjetër kolegu komik që quhet El Ljuis.

Ndrenika dhe Zhusti luajnë dy personazhet kryesorë të veprës, të cilët kanë qenë dikur yje të komedisë dhe përpiqen t’i kthehen skenës pas 12 vitesh mungesë. Premiera do të shfaqet ditën e diel. Aktori Robert Ndrenika shprehet se ndihet i kënaqur me rolin. Një pjesë të kënaqësisë që merr ia dedikon edhe Viktor Zhustit. “Edhe faktin që rolin do ta luajë së bashku me kolegun dhe mikun tim Viktor Zhusti unë e prita me shumë dëshirë”, shprehet aktori i shquar Robert Ndrenika. Ndërsa aktori Viktor Zhusti pohon se roli që ai interpreton në këtë vepër ka qenë një rol i munguar në galerinë e tij të personazheve.

“Është një komedi tepër e këndshme, e zgjuar, me një humor të kualitetit të veçantë. Dhe ajo që të intrigon është krijimi i një marrëdhënieje që është sa njerëzore aq edhe artistike” shprehet Zhusti. Ndërkohë, Robert Ndrenika shton se në komedinë e shkruar nga Neil Simon “gjenden probleme që i hasim në jetën tonë”. Premiera do të ngjitet në skenë nga regjisori shqiptar nga Maqedonia, Sulejman Rushiti.

Ai thotë se në skenë do të ketë batuta, situata komike, por nuk do të mungojë as drama. Sipas regjisorit Rushiti dramatikja është tek inatet personale ku përfshihen të dy personazhet, të cilët transformohen në dy qenie dramatike dhe refuzojnë të shuajnë konfliktin. Në komedinë “Djemtë gazmorë” do të luajnë edhe aktorët Elia Zaharia, Albana Sancolli, Nigda Dako, Dorian Ramaliu dhe Genti Deçka.

Shkrimi u publikua sot (27.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar