Ndriçohet amfiteatri
antik i Durrësit

Ndriçohet amfiteatri<br />antik i Durrësit
 DURRES- Amfiteatri i lashtë i Durrësit që nga mbrëmja e fundit e tetorit do të jetë i ndriçuar çdo natë. ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë mundësuar ndriçimin profesional të arenës dhe galerive të brendshme të Amfiteatrit të Durrësit.

Në ceremoninë e inaugurimit të organizuar në mjediset e amfiteatrit, mori pjesë Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, Odeta Nishani dhe përfaqësues të institucionit të Presidencës. Ishin edhe zv. Ministri i Kulturës Zef Çuni, zv. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Z. Osman Dinler e përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie. Po ashtu kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako, Prefekti i Durrësit z.Rolant Xhelilaj, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, arkitektë, arkeologë, ekspertë të fushës së restaurimeve. Të gjithë shprehën mirënjohjen për ata që bënë të mundur ndriçimin e amfiteatrit. Nisma qe e Fondacionit Shqiptar të Trashëgimisë Kulturore dhe Mjedisore, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Odeta Nishani.

Ndërsa ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë bërë të mundur që Amfiteatri i Durrësit të presë vizitorë, jo vetëm ditën, por edhe mbrëmjeve, duke ndriçuar objektet historike që ndodhen në këtë amfiteatër.


 Kandilat e arenës së lashtë
 Në të vërtetë, amfiteatri i ndriçuar ka një pamje të magjishme. Ishim mësuar ta shikonim këtë pamje, vetëm me rastin e koncerteve që organizoheshin mbi arenën e tij, por pak minuta më vonë dritat fikeshin dhe monumenti më i madh i lashtësisë, që është zbuluar në vendin tonë mbetej përsëri në terr.
Ka një rastësi të çuditshme, që i kthen zbuluesit e amfiteatrit në vitin 1966, atëherë kur hidheshin hapat e parë për zbulimin e një mrekullie, në qendër të qytetit modern. “Objektet e para që zbuluam në galeritë e amfiteatrit të Durrësit ishin rreth 100 kandila, të cilat duket se shërbenin për ndriçimin e arenës gjatë shfaqjeve. Që nga ajo ditë kanë kaluar plot 47 vjet, por mua më duket se gjithçka ka ndodhur dje”. Specialisti Ilia Toçi tashmë është krejtësisht i thinjur, por ai kujton sondazhet dhe punimet që udhëhoqi i vëllai i tij, Vangjel Toçi, i cili njihet si zbuluesi i dhjetëra monumenteve arkeologjike të qytetit 2.700-vjeçar. Punimet nisën në prill të vitit 1966, por në atë kohë për monumentin e mrekullueshëm nuk dihej thuajse asgjë. Një lagje shekullore ishte ndërtuar mbi kodrën e amfiteatrit. 
Të dhënat më të rëndësishme për ekzistencën e amfiteatrit i ka dhënë Marin Barleti në shek. 16-të, i cili në veprën e tij për Gjergj Kastriotin shkruan se në Durrës "ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme...”. Sondazhet e para u kryen në anën lindore, pranë banesës së familjes Simaku-vazhdon Ilia Toçi. Më pas ato u zhvendosën te muret bizantine mesjetare, në anën tjetër të lagjes. Edi Berdaku, shtëpia e të cilit ndodhet ende pranë  shkallareve madhështore thotë se mjaft të rinj kanë punuar për zbulimin e monumentit. Për katër sezone verore punohej intensivisht dhe dalëngadalë format e monumentit më të madh arkeologjik të zbuluar në vendin tonë u bënë pjesë e jetës së qytetit 3000-vjeçar. Për zbulimin e plotë të amfiteatrit antik janë prishur 33 shtëpi, ku banonin 50 familje të vjetra durrsake si Kthupi, Njala, Velja, Kapedani, Bebeziqi, Plepi, etj.-thotë Ilia Toçi. Ekspeditat intensive për hapjen e amfiteatrit kanë vazhduar nga viti 1966 deri në vitin 1970, e megjithatë monumenti më i bukur i botës antike nuk u zbulua dot plotësisht.
 
Shekulli i ri në qytetin e lashtë

Që nga viti 2003 në pjesën juglindore të amfiteatrit një grup studiuesish dhe studentësh italianë të Universitetit të Chieti - Pescarës, në bashkëpunim me Institutin e arkeologjisë kanë realizuar një sërë studimesh të rëndësishme që kanë krijuar tashmë një ide të qartë mbi gjendjen e tij jo vetëm në pjesët e dukshme, por edhe në ato që ende nuk janë zbuluar. Prof. Afrim Hoti nga Durrësi dhe profesoresha Sara Santoro nga Chieti janë entusiaztë. Çdo vit zbulimet kanë qenë befasuese: fillimisht muret e një godine madhështore të shek. 12-13; më pas pesë skelete të banorëve, viktima të tërmetit shkatërrues të vitit 1273; një thesar i vogël me monedha të shek. 14; dhe lista vazhdon. Tashmë një vëllim i veprës studimore “Dyrrachium” i kushtohet amfiteatrit. Por më e  rëndësishmja mbetet transferimi i familjeve që banojnë në një shtëpi, të ndërtuar mbi arenën e amfiteatrit. Vullneti i bashkisë dhe qeverisë nuk kanë mundur ende ta zgjidhin përfundimisht lëvizjen graduale të banorëve, të cilët në përgjithësi janë solidarizuar me qëndrimet e institucioneve. Kjo do të mundësonte hapjen e plotë të arenës dhe krijimin e kushteve për rritjen e numrit të vizitorëve në monument. Specialistët mendojnë se vendimi i pritshëm i dhjetorit të ardhshëm nga fondazioni “Europa nostra”, që e konsideron amfiteatrin një monument të rrezikuar duhet konsideruar si një mundësi bashkëpunimi të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare për rivitalizimin e tij.
 
Një vështrim historik për Amfiteatrin e Durrësit në shifra
Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në shek. 1-2 pas Krishtit, në periudhën e perandorit Hadrian. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj. Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë. Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive. Në fund të viteve '90 forcat e KFOR-it punuan për hapjen e arenës nga dherat. Arkeologët italianë të Universitetit "La Sapienza" të Romës dhe të Universitetit të Chieti – Pescarës, me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne kanë konstatuar se në arenë ka ndërtime ende të pazbuluara.

(Ne foto: Mjediset e jashtme te ndriçuara)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ikën Rrumbullaku dhe 12 drejtorët e policive në qarqe, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

U-21/ Kombëtarja jep 'Shpresë', dopieta e Pajazitit dhe pritja e Lilos i japin fitoren 1-2 kundër Zvicrës

U-21/ Kombëtarja jep 'Shpresë', dopieta e Pajazitit dhe pritja e Lilos i japin fitoren 1-2 kundër Zvicrës