Ndryshime në Kod për votën e diasporës, Krashi kritika: Pas 4 muajsh, u kujtuam që e kemi bërë gabim! Shehi: S’e çan dot pushtetin, ‘tasin e supës’ e kanë PS e PD

TIRANË- PS dhe PD pritet të bashkojnë sërish votat për të bërë ndryshime në Kod Zgjedhor, që do të mundësojë që qeveria të paguajë edhe koston e kthimit për votën e diasporës. Por, deputeti socialist Lavdrim Krashi i ftuar në Report Tv duket pak skeptik, duke thënë se nëse ky ndryshim në Kod nuk arrihet, me shumë mundësi vota e diasporës nuk realizohet.

Kritika ka edhe për dakordësinë e re mes PD dhe PS, duke thënë se pas 4 muajsh e kuptuam që kemi bërë ca gabime dhe ndryshohet edhe njëherë kodi.

“4 muaj pasi e ndryshuam, e kuptojmë që kemi bërë dy ose tre gabime. Ka deputetët që edhe në korrik kanë kërkuar që kostoja të paguhet nga shteti dhe duket se ka shkuar në vesh të shurdhët. Kjo po kërkohet të amendohet tani. Dhe në mars mund të bëhet, që qytetari të mos paguajë koston kthimit të postës. Jam skeptik që do të realizohet, deri në momentin që të hidhet vota. Nëse këto tre amendime nuk bëhen, i bie që s’do realizohet. Neni 3 thotë që kosto do përballohet nga qytetari, ajo duhet të amendohet që përballohet nga shteti. Po s’u amendua, është e pamundur të bëhet vota e diasporës”, tha Krashi.

Nga ana tjetër, kreu i LZHK, Dashamir Shehi thotë në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço shprehet se në bazë të sistemit zgjedhor, udhëheqin vetëm dy grupet PS dhe PD. Shehi thekson se rruga për pushtet është aq e vështire, sa të vegjlit janë të detyruar të strehohen në partitë më të mëdha.  

“Fiksuan në kushtetutë sistemin zgjedhor, mënyrën si votohet, ndarjen krahinore. Sistemet zgjedhore janë fleksibël, si e fikson, që të mos kenë mundësi ta ndryshojnë këtë që kanë bërë. Në bazë të këtij sistemi këtu qeverisin dy grupe që si hapin rrugë asgjëje të re. Rruga për të hyrë në pushtet është kaq e vështirë, saqë është pothuajse e pamundur. Tani thonë o eja futu ne grupin tonë, ose sikur të marrësh dynjanë  e votave nuk futesh sot, është marrëveshje kooperativiste, ne alternohemi me njëri-tjetrin, te tavolina jonë nuk ulen të tjerë”, tha Shehi.

Gazetari Almer Toska thotë se palët janë në vazhdimësi të marrëveshjes, ndërsa përshëndet faktin që për herë të parë do votojë diaspora.

“Palët janë në vazhdimësi të marrëveshjes, pavarësisht betejave që kanë zhvillu gjatë rrugës. Këtë herë s’duhet ti lëmë përtej kundërshtive, duhet të duartrokasim që për herë të patë diaspora po voton”, vijon Toska.

Për gazetarin Poli Hoxha është një lojë e përsëritur dhe gjithçka u bë për të mbyllur listat që shumicën në Kuvend ta zgjedhin Rama e Berisha.

“Lojë e përsëritur. Po të pyesësh Berishën, mirë që e le qeverinë teknike, por përse e le. Ose krahun tjetër Ramën që thotë se bashkoj votën me non gratën, mirë që e the por pse ndryshove. Po tallen, shpresoj që më 11 maj do marrin një shuplakë se kanë dalë hapur. E nxori KQZ atë turpin e madh që kanë bërë në qershor, aty me vërtetë thuhet 46 mandate të mbyllura për çdo parti, shumicën e parlamentit e zgjedhin kryetarët. Vetëm për të bërë këtë vajtën për ta mbuluar me votën e diasporës”, tha Hoxha.

Sa i takon votës së diasporës, juristi Indrit Sefa thotë se PD propozoi në fillim që të votohej në ambasada ose ambiente të marra me qira.

“Ne propozim votim fizik siç bëhet në Shqipëri, me territore ose të ambasadave ose territore të marra me qira. Ne kemi dy lloj votuesish, që vë gishtin dhe procedurat e sigurisë, kemi dhe një që merr nja 500 zarfe, kryepatronazhisti i Janinës. PD ka fituar për t’u cilësuar kryopozitarja, PS të qëndrojë në qeveri”, tha Sefa.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Komisioni ‘Xhafaj’/ Gazetari Toska: Duan ta bëjnë Kuvendin me 100 deputetë, Presidentin ta zgjedhë populli, ndryshojnë numrin e bashkive

Gazetari Almer Toska thotë se përmes komisionit antikorrupsion që drejtohet nga Fatmir Xhafaj synohen ndryshime të forta kushtetuese. Sipas tij, synohet ndryshimi i Kuvendit në 100 deputetë dhe me dy dhoma, zgjedhjen e presidentit nga populli apo ndryshimin e numrit të bashkive.

“Këtu po amendohet me Komisionin ‘Xhafaj’ që të ketë një ndryshim total të institucioneve të vendit dhe ndryshime të forta kushtetuese. Po pretendohet që Kuvendi të bëhet me 100 deputetë me dy dhoma. Po amendohet që administrata të ndryshohet, numri i bashkive të ndryshohet, që presidenti të zgjidhet nga populli. Po amendohen ndryshime të forta kushtetuese. Se sa do jenë palët të gatshme për ti bërë këto ndtyshime, nuk di ta them, por këto janë ato që janë futur te dosja  e fshehtë e komisionit Xhafaj. Rama nëse e ka ndarë mendjen e bën, por mbetet për t’u parë”, pretendon Toska.

Ora 22:55
Sherr mes deputetit të PS e Toskës! Gazetari: Je ushtar, sa para ke dhënë që u fute në listë?

Një debat i ashpër mes deputetit socialist Lavdrim Karashi dhe gazetarit Almer Toska në Frontline në Report Tv. Gazetari Toska e akuzoi deputetin e PS se është futur në listën e zgjedhjeve në 2021 duke dhënë para.

Almer Toska: Sa ke paguar që je futur në listë? Ti ke hyrë deputet që s’ke bërë asgjë për Dibrën.

Lavdrim Krashi: Mere mbrapsht këtë që thua

Almer Toska: Jeni një bandë që qeverisni Dibrën.

Por Krashi iu përgjigj Toskës duke i thënë se kur ka qenë kandidat për deputet i PD, ka deklaruar se kosovarët nuk janë shqiptarë, por janë turq të përzierë me serb. Debati u bë edhe më i ashpër, ku Toska e quajti Krashin ushtar të bandave, ndërsa tha se i tha se duhet të përgjigjet penalisht.

Lavdrim Krashi: Kur ishte kandidat për deputet i PD, thoshte se kosovarët nuk janë shqiptarë, por janë turq të përzierë me serb.

Almer Toska: Kjo është shpifje që duhet të përgjigjesh penalisht. Ti je ushtar dhe do mbetesh ushtar i qarkut të Dibrës. Tu të futën aty për të marrë lekët, po të marrin lekët, po të përdorin, ti nuk vlen një lek. Ti je ushtar, unë me ushtar nuk flas. Lexove një shpifje. Do të ndjek penalisht. Ti je ushtar me 8 klasë në shkollë. Të marrin lekët, të futën në listë.

Lavdrim Krashi: Je në terezi ti? Mos fol ashtu.

Ora 22:41
Zgjedhjet/ Zaloshnja: Betejë vetëm për 48 mandate, 92 deputetë i caktojnë Berisha e Rama

Analisti Eduard Zaloshnja i ftuar në Report Tv thotë se në zgjedhjet e 11 majit, në lojë do jenë vetëm 48 mandate që dalin nga listat e hapura. Ai sqaron se rreth 92 deputetë do dalin nga lista e mbyllur, që i cakton Berisha e Rama. Në bazë të llogarive me rezultatet e 2021, Zaloshnja thotë se PS i arrin 46 mandatet e mbyllura dhe më pas në listën e hapur do jetë lufta mes llojit. Edhe për PD, shprehet se pothuajse i merr 46 depuetët e fiksuar.

“Çdo parti do ketë një listë të mbyllur sa 1/3 e mandateve që ka qarku. Ato emra s’do jenë në listën e votimit, por partia i cakton. Nëse merr më shumë mandate të ato të mbyllurat, futën në garë deputetët në listën e hapur. Nëse PD merr vetëm 12 mandate në Tiranë, në kuvend shkojnë vetëm ata që i ka caktuar Berisha. Ata që rropaten në listën e hapur, mund të dalë një 30 mijë nuk futet. Tani nuk e merr dot, të marrë sa vota të dojë. 12 do futen vetëm ata të Berishës. Në PD po ti dalësh kundër kryetarit, të bëjnë spiun të sigurimit. S’u pëlqeu një sondazh dhe doli tha spiun sigurimi.

PS i ka të sigurta 46 mandatet për ata që do jenë në listat e mbyllura, PD bazuar në rezultatet e 2021, i ka pothuajse të sigurta 46 mandate të listave të Berishës. Do kemi praktikisht 92 mandate të mbyllura pa u futur në zgjedhje. Gjithë beteja do jetë për 48 mandate, do jetë betejë brenda llojit në PS, por do jetë edhe mes llojeve të ndryshme me partitë e reja”, tha Zaloshnja.  

Ora 22:36
‘Meta e Berisha janë bashkë’, Shehi ‘këshilla’ partive të reja: Bashkohuni, ne të vjetrit po rrimë me njëri-tjetrin  

Kreu i LSHK, Dashamir Shehi i ftuar në Report Tv thotë se partitë e vogla duhet të bashkohen të gjitha në një front opozitar për zgjedhjet e 11 majit, por sipas tij duket e pamundur. Prandaj, Shehi ka një këshillë për partitë e reja që u bën thirrje të paktën të bashkohen me njëra-tjetrën, në kushtet kur Meta e Berisha janë bashkë dhe partitë e tjera të vjetra do garojnë në një koalicion.

“S’puqeni me ne se nuk u pëlqejmë, po puquni me njëri-tjetrin. Këshillë më të mirë, puquni me njëri tjetrin, ne që pak a shumë kemi dal nga PD, jemi një lloj disidence e PD. Në po puqemi, e mira do ishte të ishim të gjithë bashkë, ju të rinjtë puqni me njëri-tjetrin, ne pak më të vjetrin po rrime me njëri-tjetrin, Meta me Berishën janë me njëri tjetrin. Ne kemi leverdi të bashkohemi, ndryshe rrezikojmë”, tha Shehi në Report Tv.  

LZHK do jetë në koalicion me ‘Djathtas 1912’ të Alibeajt, ndërsa do të garojnë me lista të hapura.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Vota e Diasporës do i bëjë gropën Opozitës, pas zgjedhjeve PD do kërkojë heqjen e saj!

Spahiu: Vota e Diasporës do i bëjë gropën Opozitës, pas zgjedhjeve PD do kërkojë heqjen e saj!