Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të bëjë dy ndryshime në drejtimin teknik të Kombëtareve të moshave, në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të futbollit të të rinjve.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Kombëtarja U-19 për djem do të drejtohet në vazhdimësi nga trajneri Fatjon Tafaj, i cili më herët ka qenë në krye të Kombëtares U-17. Ndërkohë, drejtimin e Kombëtares U-17 do ta marrë trajneri Armand Dama.

Në muajin mars, Kombëtarja U-19 do të zbresë në fushë për ndeshjet e raundit të parë kualifikues të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin B4, së bashku me Norvegjinë, Luksemburgun dhe Maltën; dhe do të drejtohen nga trajneri Fatjon Tafaj në këtë fazë të rëndësishme të kompeticionit.

Ndërkohë, prova e parë për trajnerin Armand Dama në krye të Kombëtares U-17 do të jetë në muajin mars, me dy ndeshje miqësore që pritet të zyrtarizohen së shpejti. Në muajin prill, ai do të drejtojë Kombëtaren në turneun UEFA Development U-16 për djem, i cili do të organizohet nga FSHF në “Shtëpinë e Futbollit”, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Austrisë, Suedisë dhe Japonisë.

Gjithashtu, në muajin qershor, Kombëtarja U-17 për djem do të zhvillojë ndeshjet e raundit të dytë kualifikues, ku Shqipëria do të përballet me Ukrainën dhe Letoninë.