Ndryshimet në ligjin për “Për policinë e shtetit” i prezantoi sot në Komisionin e Sigurisë Ministri i Brendshëm, Sandër Llleshaj. Këto ndryshime sipas Lleshajt kanë të bëjnë me krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar.
"E para ka të bëjë me krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, komitet i cili është krijuar edhe me Aktin Normativ nr.1, por duke qenë se ky akt ka një afat vlefshmërie të kufizuar vetëm vitin 2020, nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ky komitet bëhet i përhershëm dhe funksionon pranë ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë”, tha ministri.
Por pse lindi nevoja e ndryshimeve të tilla? Relatorja e këtij projektligji Elena Xhina kërkoi një sqarim të qartë nga ministri Lleshaj.
“Nuk mundet një ligj me shumicë të miratuar të mundet të preket nga një ligj me shumicë të thjeshtë. Pse ka lindur nevoja për këto ndryshime? Çfarë parashikimesh shtesë kërkon të kryejë policia veç atyre që parashikon veprimtaria gjurmuese dhe hetimore? Deri më sot ka dalë ndonjë problematikë në veprimtarinë gjurmuese që policia është detyruar për këto ndryshime? Krijimi i komitetit është shqetësimi më i vogël. Jemi duke shtuar burokracirat më shumë se duhet. Pse do linte nevoja për krijimin e këtij komiteti”, shprehet deputetja Xhina.
Deputetja Xhina ndër të tjera kërkoi një vëmendje të shtuar për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Ky projektligj pritet të diskutohet në komisionin e Ligjeve.