Shqipëria renditet e 67-ta në Indeksin Global të Përshtatjes, studim i Universitetit Notre Dame, SHBA, që mat varësinë e një vendi nga ndryshimet klimaterike. Studimi i publikuar nga Forumi Ekonomik Global, rendit 177 vende, ku vendi i parë është më pak i varur dhe i fundit më i rrezikuar nga kapriçot e motit. Në rajon, Shqipëria duket më e prekur nga ndryshimet klimatike globale krahasuar me shtetet fqinje. Vendi ynë ka pasur një përkeqësim të indikatorëve të saj sa i përket sigurisë së ujit të pijshëm, e të sigurisë së ushqimeve. Ndërsa, për infrastrukturën dhe ndikimin në shëndet, projektohen më pak risqe.