Ndryshimet në kod, Petrit Vasili:
Nuk besoj të ketë kundërshtime

Kreu i grupit parlamentar të LSI ka shprehur dakordësinë e tij me letrën e Metës drejtuar krerëve të grupeve parlamentare për reformën Zgjedhore. Në një intervistë për Report Tv Vasili tha se nuk beson se do të ketë kundërshtime kërkesa e Metës për ngritjen e një Komisioni për reformën Zgjedhore.

"Letra e Kryetarit të Kuvendit është, besoj, një risi në pikëpamje të kohës kur ajo drejtohet forcave politike dhe grupeve parlamentare. Është një zgjedhje e Kryetarit të Kuvendit, shpreson fort se kjo çështje duhet të përballet sot, në mënyrë që të heqim përfundimisht logjikën e veprimit në minutën e fundit, logjikën e mungesës së kohës, e cila detyron pastaj riciklimin e standardeve të ulëta, për arsye sepse një pjesë e standardeve teknike kërkojnë kohë, dhe njerëzit të cilët do të administrojnë zgjedhjet kërkojnë kohë të trajnohen, të përgatiten, dhe nuk janë çështje që mund të zgjidhen as në një javë, as në dy javë dhe as në tre javë"-tha Vasili

Ja intervista e plotë e Vasilit
 Z. Vasili, sot ka mbërritur letra e Kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Socialiste për Integrim, menjëherë pasi u dhanë rekomandimet e OSBE-ODIHR, ka kërkuar që të mblidhen grupet parlamentare dhe të bëhet ky proces. Gjithsesi tani kemi një ritheksim të vëmendjes te ky proces. Letra ju ka mbërritur nga Kryetari i Kuvendit, edhe juve, çfarë ju thotë më konkretisht në këtë letër z. Meta?


Pyetja juaj citonte dhe një qëndrim koherent të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Që në krye të herës, pikërisht pas raportit të ambasadores Glover, i cili ishte një raport që krahas konstatimit pozitiv, i linte një seri detyrash të rëndësishme për tu zbatuar, për tu vënë në zgjedhje dhe atë standard, por dha atë imazh, atë besueshmëri që shqiptarët duan dhe të gjithë së bashku duam, mazhoranca dhe opozita besoj, në mënyrë që çështja e standardeve të zgjedhjeve dhe rezultati që ato prodhojnë të jetë një çështje që nuk duhet të jetë objekt debati. Debati duhet të përqendrohet te alternativat dhe te përgjegjësitë që kanë ata që fitojnë dhe ata që do venë në opozitë. Kurse kjo çështje, është një çështje që sigurisht ka ardhur koha që me të gjithë elementët e tjerë, më së shumti teknikë, dhe jo të një karakteri të mirëfilltë politikë, duhet të marrë një zgjidhje. Letra e Kryetarit të Kuvendit është, besoj, një risi në pikëpamje të kohës kur ajo drejtohet forcave politike dhe grupeve parlamentare. Është një zgjedhje e Kryetarit të Kuvendit, shpreson fort se kjo çështje duhet të përballet sot, në mënyrë që të heqim përfundimisht logjikën e veprimit në minutën e fundit, logjikën e mungesës së kohës, e cila detyron pastaj riciklimin e standardeve të ulëta, për arsye sepse një pjesë e standardeve teknike kërkojnë kohë, dhe njerëzit të cilët do të administrojnë zgjedhjet kërkojnë kohë të trajnohen, të përgatiten, dhe nuk janë çështje që mund të zgjidhen as në një javë, as në dy javë dhe as në tre javë.

Zakonisht lihen në minutën e fundit?
Gjithmonë i kemi lënë në minutën e fundit. I pari moment kur ne, të paktën të qasemi në kohë, besoj është në limitet delikate të kohës, në qoftë se duam të bëjmë një punë të mirë. Unë besoj se kjo është një risi dhe një qasje shumë pozitive e z. Meta, i cili synon të prishë një traditë tërësisht të gabuar të deritanishme, të priturit, të shtyrit, të bërit takticizma politike që në fund fare prodhojnë rezultatin e diskutuar të radhës, dhe ku palët duke alternuar veten sipas fitimit apo humbjes së zgjedhjeve, fillojnë mallkojnë zgjedhjet, fillojnë mallkojnë standardet. Ndërkohë që, bashkë autorët e standardeve të ulëta, janë po forcat politike.

Cili është reagimi që ka pasur nga ana e opozitës? Mos ka pasur një përgjigje pozitive?
Reagimi i opozitës ka qenë korrekt. Reagimi i z. Paloka ka qenë një reagim normal, korrekt politikisht sepse e porsa ngitur sigurisht letra kërkon dhe konsultime të brendshme duke vazhduar më tej dhe me realitetin që do ta pasojmë. Sigurisht, duke pasur një dakordësi, të cilën unë e gjej të arsyeshme, kërkon dhe instrumentet përkatës, komisionit të posaçëm, instrument të tjera, sekretari, komitet ekspertësh, gjëra që i duhen, të gjithë instrumentet që ai të funksionojë, por besoj se mazhorancë-opozitë jemi të gjithë së bashku të interesuar për standarde të larta. Sot i japim fund vënies në vështirësi të kohës të palëve respektive të mazhorancës dhe opozitës, jemi në kohë optimale. Tanimë kush do ishte një pengues i madh, do ishte ai që do ishte më pak i interesuari për standardet. Këtu është çështja e dallimit.

Pra, kushdo që do ti kundërvihet apo do të pengojë këtë proces, në një farë mënyre do të jetë ai më pak i interesuari për standardet?
Sepse për të qenë më të thjeshtë për qytetarët që na ndjekin, kjo gjë do të zgjidhet. Në qoftë se shtyhet në kohë, u biem në kurriz standardeve. Sepse që do ta zgjidhim, do ta zgjidhim. Nuk ka një rrugë të dytë. Pyetjet e rekomandimeve do të marrin përgjigje. Të gjitha palët kanë mundësi të zhvillojnë zgjedhje me standarde të mira, nuk kemi pse të qahemi nesër për standardet e zgjedhjeve.

Si do të funksionojë? Do të konsultoheni mes grupeve?
Janë çështje procedurale. Thelbi politik ky është.

A ka ndonjë lidhje kjo vëmendje që i jepet tani procesit zgjedhor me akuzat dhe deklaratat e vazhdueshme të opozitës dhe z. Basha i cili thotë se kjo qeveri që është aktualisht nuk mund të bëjë zgjedhje prandaj duam qeveri teknike që të garantojmë një proces të rregullt?
Unë e përkthej të gjithë këtë deklaratë të z. Basha një autokarikim për veten dhe për të vetët. Nuk ka lidhje me procesin zgjedhor, absolutisht, sepse procesi zgjedhor para apo pas raportit të znj. Glover ose zgjedhjet e 2013, nuk verifikuan asnjë rast të manipulimit të votave. Pra pushteti ka dal i ndërtuar në 2013, ka dalë mbi votimin korrekt të qytetarëve. Edhe nëse do t’i numëronim votat brenda 24-orësh do të ishte një sfidë plotësisht e arritshme për Shqipërinë me vullnet të mirë. Por, sa i takon legjitimitetit dhe rezultatit askush nuk e vë në dyshim këtë legjitimitet. Fraza ‘zgjedhje të parakohshme’ janë prerogativë e natyrshme e çdo opozite e cila në mënyrë logjike i shikon zgjedhjet e parakohshme si një mundësi për t’u rifutur në garë, por nuk ka lidhje me mazhorancën, e cila është shumë e gjerë. Mazhoranca zotëron akoma mbi 84 vota. Besoj që mazhorancë më të gjerë se kaq, nuk ka pasur ndonjëherë. Diskutimet brenda mazhorancës janë bashkim vullnetesh. Kjo do të thotë që diskutojmë dhe përmirësojmë projektligjet, veçanërisht ato më të rëndësishme, siç ishte Kodi Penal lidhur me çështje që kishin të bënim me problemet fiskale, kuponin etj. Kjo tregon se është një mazhorancë e hapur ndaj mendimeve alternative. Kjo e forcon mazhorancën.

Çfarë po ndodh me sektorët ku LSI është shfaqur e pakënaqur me investimet dhe buxhetin e përcaktuar për to?
Ne përfunduam një aksion, duke miratuar buxhetin në parim. Ne i thamë po një logjike të caktuar si është ndërtuar buxheti, i cili ecën drejt një qëndrueshmërie ekonomike në njërën anë, konsolidimin fiskal nga ana tjetër dhe një ecje e fortë drejt formalizimit gjithnjë e më të gjerë të ekonomisë. Këto janë shtyllat e rëndësishme makroekonomikë të një vendi. Për këto arsye ky buxhet e mori votën tonë në parim. Ndaj për këtë arsye, buxheti ndahet në dy etapa, votimi në parim fillimisht dhe votimi nen për nen i cili zhvillohet dy javë më pas. Këto dy javë të një këqyrjeje romantike të buxhetit por një diskutimi intensiv, të cilat e bëjnë buxhetin edhe konkret, edhe bëhet i prekshëm për qytetarët. Këto para të qytetarëve do të përdoren në mënyrë të dobishme për të prodhuar shërbime dhe gjëra të prekshme. Ndaj për këto arsye ka gjithmonë vend për koment. Komente ka bërë LSI-ja, komente kanë bërë drejtuesit e bashkive më të mëdha të vendit, që nga kryetari i bashkisë së Tiranës etj. Këtu nuk bëhet fjalë për pakënaqësi. Këtu bëhet fjalë për një rishikim serioz, me sy kritik për të përmirësuar ato që kanë mundësi të përmirësohen pa lëvizur kornizat e mëdha të buxhetit. Edhe buxheti ka kufijtë e tij. Brenda këtyre kufijve që mund të bëhen përmirësime të caktuara ne kemi tërhequr vëmendjen.

Çfarë kërkonit?
Marrim arsimin. Kishim një vërejtje që kërkimi shkencor ishte financuar në nivele shumë të ulëta që nuk justifikonin absolutisht atë mënyrë si ishte përvijuar reforma nëpërmjet ligjit të ri për arsimin e e lartë. U kërkua të rritej masa e buxhetimit. Në shëndetësi, të rritej masa e investimeve sepse ka objekte që duhet të ecin më shpejt që të ketë vepra të dukshme në sistemin shëndetësor. Ka pasur përthyerje në pushtetin lokal. Pra, financime edhe të çuditshme, që për një numër i vogël i popullsisë, po marrim bashkinë e Delvinës për shembull, merr një financim shumë më të ulët sesa një bashki me një numër të barabartë. Atëherë në mënyrë të natyrshme do të pyesnim se cilat janë kriteret që e justifikojnë një paradoks të tillë. Kërkohet një balancim më të madh sepse të gjitha komunitetet presin nga një përgjigje të buxhetit dhe të ndjehet dora e shtetit. Po kështu kishim një shqetësim të veçantë lidhur me çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e prodhimit vendas.

Kemi përmendur çështjen e akcizës së birrës. E kam parë dhe e shikoj, unë dhe LSI, si një mundësi që, duke mbrojtur këtë prodhim vendas mbrohen vende pune. Ju e kuptoni, që një prodhim vendas, i cili hyn në krizë do të krijojë papunësi. Dhe ne e kemi rritjen e punësimit sfidën madhore të të gjithë mazhorancës kurse LSI e ka pasur një kredo të sajën, jo vetëm në fushatën e 2013-s, por edhe më parë. Kujtoni edhe fushatën e vitit 2011 ku punësimi ishte kryesorja dhe në rast se, këto biznese do të pësonin një goditja të fortë, papunësia do të ishte elementi shoqërues që do të spikaste. Qoftë në pikëpamjen sociale, por edhe të tensionit që do të krijojë, detyrimisht ne na shqetëson kjo gjë dhe prandaj e kemi ngritur.

Para pak ditësh në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ka pasur diskutime nga përfaqësuesit e biznesit, shumë ankesa dhe fakti që ata nuk bien dakord me rritjen e shumë taksave. U bënë një sërë akuzash nga biznesi se kjo nuk është një përpjekje reale për formalizimin e ekonomisë...

Një mësim i madh që merret nga këto vërejtje të mëdha që ka biznesi është ky: absolutisht që qeveria, mazhoranca, nuk ka mundësi t’i kënaqë të gjitha interesat e biznesit. Kjo është një prerogativë e parë, por bashkë me këtë kemi edhe një mësim tjetër, që konsultimet më të gjera paraprake, përpara sesa buxheti të vijë, të formalizohet, do të evitonin sigurisht pjesë të shumta të këtij debati, ku do të mbeteshin disa pjesë të rëndësishme, të cilat do të kishin të bënin me vizionin e ekonomisë. Këto diskutime kaq të gjata që ndodhin në Komisionet Parlamentare me grupet e interesit, do të thotë që kjo kohë nuk është konsumuar më parë. Dhe një mësim që është pozitiv që ta nxjerrim është që këto konsultime duhet të fillojnë me kohë. Dihet që përgatitja e projektbuxhetit është fundi i gushtit dhe secila ministri duhet të ketë përpara një draft dhe që aty mund të startojnë dhe përdoren javë të tëra derisa buxheti të depozitohet në Parlament për ta konsumuar këtë proces të madh publik. Dhe çdo lloj reflektimi në kohën e duhur, edhe heq këto krenaritë e sëmura, ku dikush thotë: u tërhoq apo s’u tërhoq qeveria, ka vështirësi të tërhiqet qeveria etj, etj. Këtu nuk bëhet fjalë për krenari të sëmura. Këtu bëhet fjalë që në mënyrë objektive këto kërkesa kanë mundësi dhe hapësirë të kënaqen. Për këto arsye të mëdha ekonomike por edhe makroekonomike nuk mund të kënaqen. Bashkë me mesazhin që ka brenda që këto i bëjnë dhe i japin këto tolerime, sepse duan t’i japin frymëmarrje kësaj gjëje, sepse kështu edhe shqiptarët na kuptojnë, edhe nuk u mbetet pastaj negativisht në mendje vetëm ai debati i fortë, por mbetet ajo zgjidhja konstruktive që mazhoranca, qeveria ka ofruar.

Jeni të sigurt z. Vasili që shqiptarët e kuptojnë këtë mazhorancë, duke pasur parasysh se me mijëra qytetarë u mblodhën më 8 dhjetor në protestë kundër qeverisë?
Unë jam nga ata që gjithmonë i respektoj dhe i shikoj me vëmendje protestat. Sepse sikurse sot proteston Partia Demokratike, edhe ne kemi qenë në opozitë për vite të tëra, në kushte shumë më të vështira në kuptimin edhe politik edhe të karakterit publik, edhe të mënyrës së pasqyrimit. Kemi përballuar provokacione shumë të mëdha si LSI deri në këtë ditë që jemi sot, pavarësisht se shumëkush i ka harruar, por ata që i kanë vuajtur në kurriz e dinë shumë mirë se çdo të thotë të jesh në opozitë dhe të protestosh. Çdo protestë meriton respekt, sigurisht në kufijtë e zhvillimit në mënyrë të plotë, në mënyrë qytetare dhe që të imponon të dëgjosh mesazhet e saj.

Si ishte protesta e 8 dhjetorit? A e meriton respektin?
I vetmi vlerësues objektiv absolut janë qytetarët që e kanë parë, sepse disa mijëra qytetarë ishin në shesh, por disa qindra mijëra të tjerë kanë pasur mundësinë ta ndjekin “live” nga televizori dhe çdo vlerësim i imi do të ishte subjektivizëm, kurse vlerësimi i qytetarit do të ishte ai më i ftohti. Atë vlerësim ne do ta marrim në 2017-n. Për mendimin tim, kudo që unë vërej akte të egërsisë siç ishin disa veprime të caktuara në protestën në fjalë, jashtë simbolikave dhe mllefeve që mund të kenë, nga cilido krah i politikës që të vijë, në çdo formë dhe kudo ku ka qenë e kanë pasur stigmën time të plotë. E stigmatizoj dhunën kudo që të jetë. Si LSI, ju e dini, mund të hapni arkivat tuaja, kemi organizuar mitingje shumë të mëdha, kemi qenë një nga tre forcat e mëdha politike, së bashku me PS dhe PD, në sheshin ‘Skënderbej’, në sheshin përpara

Kryeministrisë, po aq sa kishte në protestën e 8 dhjetorit kemi pasur vetëm ne si forcë politike, dhe ju nuk keni përcjellë asnjë raport ku ne të kemi pasur qoftë edhe një akt të vetëm të grisjes së ndonjë banderole të dikujt tjetër.

Në këtë drejtim ndiejmë një lloj krenarie për forcën politike që unë kam nderin e madh të përfaqësoj. Në këtë dimension të protestojmë fort, me një mesazh të fortë, me sens të fortë politik, me formën e duhur, por pa asnjë element dhune, ky besoj duhet të jetë moto përfundimtare e politikës shqiptare. Ky mesazh edukon dhe besoj se mesazhet e tjera ç’edukojnë dhe e ç’fokusojnë publikun nga vëmendja e mesazhit kryesor.
 

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)