TIRANE - Të premten mblidhet këshilli i Legjislacionit së bashku me komisionin parlamentar të ligjeve të cilat do nisin procedurat për ndryshimet në Kushtetutë të nevojshme për miratimin e nismës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të propozuar nga mazhoranca.

Ndërkohë burime nga PS i thanë A1 Report se po ditën e premte PS pritet t’i dorëzojë Kuvendit propozimin e saj për heqjen e imunitetit.

Po sot komisioni parlamentar i ligjeve miratoi me konsesus në parim pr/ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e konferencës gjyqësore kombëtare”. PS kërkoi që ky draft të plotësohet dhe t’i bëhen amendime të tjera. Por këto do të diskutohen gjatë debatit nen për nen të pr/ligjit në komision.

Fatmir Xhafa i PS ka kërkuar që në plotësimin e ligjit të ftohen dhe aktorë të tjerë të interesuar. Të premten pritet të jetë e pranishme në komision edhe kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj.

Diskutimi i këtij drafti është shoqëruar dhe me moment tensioni. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi u largua nga komisioni për shkak të axhendës por kjo solli reagimin e opozitës sipas të cilës ministri nuk mund të ike nga komisioni për një ligj kaq të rëndësishëm.

(ns/shqiptarja.com)