Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim draftin i cili inicion ndryshimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas këtij ligji, është parashikuar parandalimi i promovimit të anëtarëve të KLD-së në fushën e gjyqësorit. Konkretisht ky ligj nuk lejon që një anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të emërohet në ndonjë gjykatë tjetër pa përfunduar mandatin e anëtarit të KLD-së.

Konkretisht një anëtar i KLD-së ka një mandat 5 vjeçar dhe pa përfunduar ky mandat, ai nuk mund të emërohet në asnjë gjykatë tjetër. Veç kësaj, ligji parashikon se nëse ndaj një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë fillon një procedim penal për korrupsion, mandati i tij do të pezullohet deri në momentin kur të merret vendimi përfundimtar nga gjykata.

Sipas mazhorancës, ky ndryshim është bërë përshkak se një anëtar i KLD-së mund të ushtrojë presion ndaj gjyqtarit të Krimeve të Rënda përshkak të postit që ka dhe për rrjedhojë ai mund të shpallet i pafajshëm.

Presioni mund të bëhet tek gjyqtarët e Krimeve të Rënda pasi korrupsioni në nivelet e larta drejtuese është cilësuar në Kodin Penal si krim i rëndë. Një ndryshim tjetër i parashikuar në ligj është edhe transparenca e mbledhjeve të KLD-së ku sipas ligjit të ri është parashikuar se për çdo mbledhje duhet të ketë një procesverbal.