Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Belinda Ballukut nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, si dhe riformatimit që kryeministri Edi Rama bëri, duke ndryshuar gjysmën e qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shpërndarë fjalin e tij në seancën e fundit në Kuvend, ku kishte paralajmëruar se do të kishte ndryshime në qeveri.
Por edhe pse Rama bëri 7 ndryshime në kabinet, Bardhi thotë se rrethi i ngushtë i Ballukut është emëruar në postet e mbajtura prej saj.
Për Bardhin, kjo tregon se Rama nuk është më një kryeministër i lirë dhe se po zbaton urdhrat e Ballukut.
Sipas tij, Rama duhet të largohet që Shqipëria të ecë përpara në procesin e integrimit.
“Një javë më parë paralajmëruam në Parlament ndryshimet në qeveri! Jo se hedhim fall apo shohim filxhan, por ata që rrethojnë Ramën flasin. Aty ku duhet….Herë pas here… Por edhe pa këta, faktet tregojnë se Edi Rama po ushtron detyrën e zëdhënësit, të avokatit, por jo të kryeministrit! Emërimi i rrethit të ngushtë të Belinda Ballukut në postet e mbajtura prej saj provon se Edi Rama nuk është më një kryeministër i lirë! Ai thjesht zbaton urdhrat e të pandehurës Belinda Balluku, sepse është e qartë se Edi Rama është në krye të sistemit të korruptuar që është ngritur në Shqipëri.
Dhe pyetja që shtrohet sot është serioze: A është në gjendje Edi Rama të negociojë me Bashkimin Europian pa pengesa, pa shantazhe, pa frikën se Belinda Balluku e merr me vete? Përgjigja është e qartë, Edi Rama duhet të largohet që Shqipëria të ecë përpara në procesin e integrimit. Sepse integrimi nuk negociohet me ndryshim emrash, por me një standard të vetëm: askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Bardhi.
Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë një ditë pas ndryshimeve surprizë të cilat i njoftoi në mbledhjen maratonë të grupit parlamentar socialist.
Rama shkarkoi Belinda Ballukun nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi edhe Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e saj.
Shkarkimi i Ballukut u shoqërua dhe me të tjera ndryshime në kabinetin qeveritar. Vendin e saj si zv/kryeministre e mori Albana Koçiu ndërsa në krye të ministrisë së Brendshme tashmë do të shohim Besfort Lamallarin. Ky i fundit ndërroi digaster vetëm 5 muaj pas emërimit si ministër i Drejtësisë që tashmë do të drejtohet nga Toni Gogu.
Ky i fundit u emërua këtë mandat ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministri që tashmë i është besuar Eriona Ismailit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tashmë do të drejtohet nga Enea Karakaçi ndërsa Ferit Hoxha do të jetë ministër i Jashtëm. Pa një tjetër emërim mbetën Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu.
Komente










