Në studion e emisionit 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, është diskutuar mbi draftin për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, me ndryshime thelbësore që lidhen me paraburgimet dhe të drejtat e të hetuarit përballë gabimit apo abuzimit të shtetit.
Ish-prokurori Ervin Karanxha i cilësoi këto ndryshime si një zhvillim pozitiv, pasi sipas tij, masa e sigurisë së 'arrestit me burg' është përdorur të tepruar në Shqipëri.
Karanxha theksoi se Shqipëria është bërë objekt diskutimi në Këshillin e Europës dhe shumë organe të tjera ndërkombëtare, përfshi Gjykatën e Strasburgut, lidhur me çështjen e përdorimit të tepruar të paraburgimit.
Sipas ish-prokurorit Karanxha, me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, roli i avokatit fuqizohet në raport me atë të prokurorëve.
"Shikojmë një zhvillim pozitiv, sepse siç e kemi diskutuar shpesh, në parim flitet që masa e sigurimit 'arrest me burg' në Shqipëri është tepruar. Shqipëria është bërë objekt diskutimi në Këshillin e Europës dhe shumë organe të tjera, përfshi edhe Gjykatën e Strasburgut. Tani po bëhet një ndryshim dhe e quajmë pozitiv në parim. Ka edhe gjëra që duhen parë. Diçka pozitive është që edhe avokatët mund të bëjnë hetime. Me kodin e sotëm nuk bën dot veprime. Ti i bën kërkesë organit procedues dhe në 99% të rasteve është refuzim kërkese. Me ndryshimet e fundit, përshembull në rastin e Agasit, mund të paraqesin dëshmitarë të tjerë. Pra avokati paraqet prova", tha mes të tjerash ish-prokurori Karanxha.
Nga ana tjetër, edhe avokati Përparim Caca gjatë fjalës së tij i cilësoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale si pozitive, pavarësisht se ai theksoi se do të ishte më mirë një kod totalisht i ri, sesa ndryshime të një pjese të tij.
Caca shtoi se ndryshimet në Kod i japin një goditje kulturës abuzive të mënyrës sesi kryhet një procedim penal. Ai tregoi edhe disa nga ndryshimet kyçe, që favorizojnë të drejtat e të pandehurit, në raport me organet e hetimit.
"Me ndryshimet e kodit të procedurës, Prokuroria, hetuesit, OPGJ-të, do të duhet të vrapojnë pak. Në të gjitha aspektet, qoftë edhe në aspektin procedurial. Sepse ato ndryshime, unë do të kisha qenë për një kod të ri të procedurës penale, jo me këto arnimet. Përsa i përket këtij fakti unë mendoj se këto ndryshime i japin një goditje një kulture abuzive të mënyrës sesi kryhej një procedim penal. Kemi parë shumë raste që ka të pandehur që në sallën e gjyqit deklarojnë se e kanë dhënë një dëshmi në kushtet realisht të presionit. Tashmë jo. Do jetë audio-vizive. Është një moment shumë i rëndësishëm procedurial. Kjo është një risi pozitive. Pse them i jep fund një praktike abuzive. Sepse gjithmonë personi që merret lihet në një dhomë në të gjitha komisariatet e vendit. Në atë dhomë ka të drejtë organi, që në rastin konkret Policia, që të bëjnë një përgjim ambiental. Nëse ata kryejnë biseda me njëri-tjetrin, në padijeni të plotë, nëse dilte nga këto biseda diçka kompromentuese, lajmërohej prokurori dhe bëhej sikur ishte marrë më herët leja për përgjim. Tani duhet të marrësh leje në Gjykatë për përgjimin", tha mes të tjerash Caca.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kanë qenë mbrëmjen e sotme temë diskutimi në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv.
Avokati Leonard Karaj bëri një deklaratë të fortë gjatë fjalës së tij, ku se nëse ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale do të miratohen, do të jetë më mirë që SPAK të mbyllet.
Kjo pasi sipas tij, vetëm njëra prej pikave të ndryshimeve, që parashikon 'jo arrest me burg për veprat penale që dënohen nën 5 vite', favorizon të gjithë zyrtarët e korruptuar. Karaj tha se të gjitha veprat penale që shkojnë në SPAK nga radhët e funksionarëve publikë, shkojnë kryesisht për shpërdorim detyre, që dënohet maksimalisht 7 vite dhe përmes gjykimit të shkurtuar shkon në më pak se 5 vite.
"Ne kemi vuajtur realisht nga një sistem gjyqësor, ku avokatin e kemi përdorur si rreckë. S'e kemi konsideruar fare, sepse ka qenë mentalitet tipikisht komunist. Edhe arroganca, ti e ke sot në GJKKO. Bën ai zotëria një rregullore pa pyetur askënd që e përdor atë rregullore dhe e vazhdon në kokfortësi idioteske. Nesër dalin ata që u kapën të shtunën, dalin nga burgu se i kaluan 72 orët. Nëse unë do flisja si avokat, unë do të thoja që ky është një kod perëndimor, me nuanca të forta amerikane. Pra të drejtat e njeriut janë në standardin më të lartë të mundshëm.
Pyetja që unë ngre është që nëse ne do shkojmë në këtë standard, do të duhet që ne të jemi të gjithë danez, suedez, norvegjez. Pra ti po bën një kod për në Danimarkë. Nëse do miratohet kështu siç është ky kod, po them 'mbylleni nesër SPAK'. Madje ysht edhe ndërkombëtarët, që ta bëjnë vetë ata meqënëse është investim i tyre. Sepse e para fare, 'jo arrest me burg për veprat nën 5 vite'. Pjesa më e madhe e veprave penale që shkojnë në SPAK, ato që kanë funksionarë publikë, jo ato që janë kriminalitet, shkojnë kryesisht për shpërdorim detyre", tha mes të tjerash avokati Karaj.
Nga ana tjetër, këshilltari i PS në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi, tha se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale e vendosin theksin te parimi i prezumimit të pafajësisë.
Muharremi tha se ajo që i pëlqen dhe i intereson më shumë ndër ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale është që marrja në pyetje e të pandehurit duhet të regjistrohet.
Muharremi tha se kjo do të pamundësojë ndryshimin e deklaratave, si nga ana e organeve shtetërore ashtu edhe nga ana e të pandehurve, siç sipas tij ka ndodhur më parë.
"Ke gra të cilat kanë fëmijë nën moshën 6-vjeç dhe janë me arrest me burg. Unë di raste që ka pasur. Mua e vetmja gjë që më pëlqen është përgjegjësia sociale e këtyre ndryshimeve të kodit, ku i vendos shumë theksin ndaj një parimi që është kushtetues dhe që përgjithësisht nga sistemi gjyqësor dhe i Prokurorisë, pavarësisht edhe Reformës së Drejtësisë, ka qenë prezumimi i pafajësisë. Ky është një nga ndryshimet që prezumimi i pafajësisë forcon akoma edhe më shumë rolin e saj dhe e bën edhe më të standardizuar edhe rolin e të gjithë funksioneve.
Duke qenë se unë kam mbuluar anën sociale, kemi pasur raste që kanë qëndruar në burg vetëm për një zënkë brenda, mes 2 bashkëmoshatarëve në dhomat e qelisë, pa u dëgjuar e drejta e këtij individi. Mirë që nuk mbështeteshe nga kushtet social-ekonomike që kishte individi, por nuk mbështetej as në avokatë, që duhet të ishin avokatë normalisht dhe Gjykatat nuk i dëgjonin.
Mua ajo që më intereson më shumë është që marrja në pyetje të regjistrohet dhe të rishikohen të gjithë elementët e këtij intervistimi që kanë bërë ndaj të pandehurit, që nesër të mos ketë ndryshim të deklaratave siç ka ndodhur më parë që ça ka thënë sot nuk e ka thënë të nesërmen. Kanë ndodhur edhe këto, thjeshtë për të kapur atë elementin statistikor që unë kam arritur që të faktojë një vepër penale", tha mes të tjerash Muharremi.







Komente
Komento