Këto ndryshime janë në përputhje me një strategji për rregullimin e procesit të pronësisë në Shqipëri, që nuk ka gjetur ende zgjidhje pas 22 vitesh, ku hasen mbivendosje pronësie, zënie të paligjshme pa lejen e pronarit, shdukje të dokumentacionit të vjetër arkivor, etj. Shoqatat e ish-pronarëve kohët e fundit kanë ngritur zërin, duke theksuar se do të duhbej të caktoheshin 30 miliardë euro për dëmshpërblimin e tyre financiar, ndërkohë që qeveria është duke dëmshpërblyer vetëm ata persona, tokat e të cilëve janë zënë pa leje nga të tjerë, por po harrohet kategoria e pronarëve të tjerë. Këta të fundit po fitojnë gjyq pas gjyqi në Gjykatën e Strasburgut të të Drejtave të Njeriut. Mbetet për të parë në se edhe këto ndryshime do të mbeten apo jo pa rezultat në zgjidhjen e një problemi madhor, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë as për shtet ligjor e as për reszpektim të të drejtave të njeriut, pa folur për zhvillimin e mirëfilltë ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Ndryshimet në ligjin aktual të kthimit dhe kompensimit të pronës
Si ishin nenet
Neni 13/ Vlerësimi i pronës
1. Për vlerësimin e pronës qe kompensohet komisioni vendor i kthimit dhe kompensimit te pronave te paluajtshme ngre grupin e eksperteve. Komisioni cakton ne rolin e ekspertit persona me përvojë dhe kualifikim te posaçme ne fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike qe ka lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit te pronave.
2. Vlera e pronës që kompensohet, sipas këtij ligji, përcaktohet ne baze te vlerës se tregut, në përputhje me metodologjinë e propozuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit te Pronave, miratuar me vendim te Kuvendit.
3. Në kryerjen e veprimtarisë se tij, asnjë nga anëtarët e organeve shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave ose të grupit të eksperteve nuk duhet të jetë në kushtet e pengesës ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative.
Neni 24/ Afati i përfundimit te procesit
Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2006, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit
Neni 28/ Fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik
Përveç fondit financiar të kompensimit, krijohet fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton fondin e pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik
Si bëhen nenet
Neni 13/ Vlerësimi i pronës
Vlerësimi i pronës që kompensohet do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj.
Procesit të vlerësimit të pronës sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, i nënshtrohen: toka, objektet ndërtimore. Në kategorinë e tokës përfshihen toka bujqësore, toka pyjore, pyje, livadhe dhe kullota, truall i përdorur për qëllime publike, tregtare, industriale apo qëllime të tjera ndërtimi.
Metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e pronës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Metodologjia synon vlerësimin e pasurisë së paluajtshme bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme: Çmimin e tregut, llojin e pasurisë së paluajtshme, qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme. Treguesit bazë të vlerës së pasurisë së paluajtshme do të përcaktohen dhe do të miratohen të veçanta për tokën, ndërtesat dhe strukturat inxhinierike.
Vlera e pasurisë së paluajtshme do të llogaritet si një shumë e vlerave të një njësie, objekti ndërtimor/struktura inxhinierike, dhe tokës mbi të cilën ngrihet kjo e fundit, të cilat do të formojnë një pasuri të veçantë të paluajtshme.
Këshilli i Ministrave përcakton institucionin përgjegjës për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe për administrimin e saj.
Neni 24/ Afati i përfundimit të procesit
Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit te pronave te paluajtshme përfundon deri ne datën 30.04.2006, me përjashtim te kryerjes se pagesës se kompensimit
Neni 28/ Fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik
Përveç fondit financiar të kompensimit, krijohet fondi i pasurive të paluajtshme për kompensim fizik. Brenda datës 30.04.2013, Këshilli i Ministrave miraton fondin e pronave pasuri të paluajtshme shtetërore që vihen në dispozicion për kompensim fizik
(sg/shqiptarja.com)