Ndryshimet e fundit në ligjin për Policinë e Shtetit, që hynë zyrtarisht në fuqi më 24 gusht, i dhanë kryepolicit Skënder Hita më shumë kompetenca për të ndërhyrë në strukturat drejtuese të Policisë. Një prej më kryesoreve është emërimi i drejtuesve të qarqeve dhe shefave të komisariateve pa garë, pa nevojën e një konkursi që më shumë u cilësua burokratik se sa rregullator. Një javë më pas, shtatori i gjen blutë me ndryshime të rëndësishme në disa qarqe, të cilat Hita i sheh me rëndësi për impulse të reja për rendin dhe sigurinë.
I emëruar drejtor i Elbasanit në kastën e parë të drejtuesve përmes garës në nëntor 2024, Fatmir Hoxha nuk do të jetë më drejtues qarku. Gati 2 vite në krye të një prej qarqeve më problematikë në vend, Hoxha është një prej drejtuesve më jetëgjatë, zgjedhur me konkurs. Lëvizja e tij mund të konsiderohet me ulje, pasi me firmën e kryepolicit do të jetë veç specialit në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme.
Hoxha ishte drejtues në Elbasan në një periudhë kur zëvendës i tij ishte Ulian Shpataraku, për disa muaj, sot i arrestuar si “shofer” i Ergys Agasit. Në vend të Hoxhës në Elbasan shkon Kastriot Skënderaj. Skënder Hita ka vendosur t’i japë sërish besim kastës së vjetër. Skënderaj, ish-drejtues në Tiranë vite më parë, në Berat po ashtu, dhe këshilltar i drejtorit të përgjithshëm, ka tashmë barrën e një qarku jo të lehtë.
Luigj Vathi do të vijojë të shërbejë si drejtues, por jo më në Berat. Prej kësaj të marte, ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës është në krye të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Korçë. Vendi i tij në Berat është akoma vakant, ndërsa disa emra karriere janë diskutuar, por pa një vendim final. Gëzim Zhupaj që deri dje ishte te Kufiri i Korçës, tashmë ka detyrën e shefit të sektorit në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, në drejtori të përgjithshme.
Lëvizja e fundit, por jo më pak e rëndësishme në radhët e bluve është zv/drejtori i Tiranës për Rendin dhe Sigurinë, Dashnor Muhaj. Kryekomisari që menaxhoi protestat e muajve të fundit në vend, emërohet specialist për migracionin e parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, në drejtori të përgjithshme. Vendi i tij mbetet vakant, ndërsa në vijim pritet emërimi i zëvendësuesit.
Ky është vetëm fillimi i ndryshimeve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Në ditët në vijim kryepolici pritet të bëjë kalime të tjera jo vetëm në nivel qarku, por edhe komisariatesh dhe sektorësh. Aktualisht, të komanduar dhe pa një emërim final janë 2 drejtorët më të rëndësishëm të qarqeve në vend, Tiranë dhe Durrës. E vetmja garë që pritet të hapet për momentin është ajo për departamentet në drejtori të përgjithshme. Me ndryshimet e ligjit, kjo kategori drejtuesish u pa e udhës të qëndrojë siç ishte, zgjedhje me konkurs. Gara për departamentet është anuluar 2 herë deri më tani, fillimisht prej padisë së Aida Hajnajt dhe së fundmi prej ndryshimeve në ligj.











Komente
Komento