Tashmë është fakt! Neni 46 i statutit të PD nuk do të ndryshojë. Nëse Sali Berisha humb edhe zgjedhjet parlamentare të 2029-ës, duhet të vihet sërish përballë nenit të ashtuquajtur Basha e të japë dorëheqjen, akt që e shkeli pas disfatës së 2025-ës.
Demokratët miratuan në kryesi të mërkurën, 8 ndryshime që do të pësojë kushtetuta e partisë pas gati katër vjetësh.
Në mbledhjen me orë të gjata, që përfundoi në mesnatë, pas shumë diskutimesh se nuk po prodhojnë efektin që mendohej, as primaret nuk do të hiqen, por demokratët kanë gjetur mekanizmin që do të kufizojë vendimmarrjen prej tyre.
Në statut do të shtohet një komision që do të seleksionojë kandidaturat për deputet ose kryetar bashkie, dhe do të bëjë një filtër të emrave të cilat më pas do të futen në primare. Pra, në primare nuk shkon kushdo, por kush kalon sitën e këtij komisioni.
"Me qëllim që procesit të votimit t'i nënshtrohen kandidaturat më të mira dhe më përfaqësuese për komunitetin, është propozuar ngritja e një strukture këshillimore, që bën vlerësim të pavarur, dhe përfshinë edhe opinionin e jashtëm të komunitetit që nuk angazhohet në politikë, duke krijuar kështu një lidhje më të fortë midis partisë dhe shoqërisë në tërësi", thuhet në dokument.
Konkretisht, neni 12 i statutit “Përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare dhe vendore” pas pikës 1 ”Kandidaturat elektorale të PDSH-së për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe/ose pushtetin vendor evidentohen nëpërmjet -vetëpropozimit; - propozimit nga antarësia; - propozimit nga organet qendrore të PDSH-së.”, do të shtohet pika 1.1 e cila thotë qartë se në primare nuk futet askush që nuk aprovohet nga ky komision.
“Kandidaturat e evidentuara sipas pikës 1,1 i nënshtrohen verifikimit dhe përzgjedhjes paraprak të Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave, një organ kolegjial që ngrihet me vendim të Kryesisë së PD, sa herë ka procese të seleksionimit të kandidatëve për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe/ose pushtetin vendor. Komisioni përbëhet nga të paktën 5 anëtarë, të cilët duhet të jenë figura me një karreierë të gjatë në PD, jashtë kushteve të konfliktit të interesit, apo me angazhim të spikatur në shoqërinë civile ose botën akademike. Ata veprojnë në mënyrë të pavarur nga organet drejtuese të Partisë dhe i nënshtrohen vetëm rregullave të përcaktuara në Statut apo aktet nënligjore të miratuara në përputhje me të. Komisioni është përgjegjës për seleksionimin paraprak të kandidatëve, bazuar në të dhënat e plotë që provojnë pastërtinë e figurës, arsimimin, aktivizimin në jetën publike dhe mbrojtjen e interesave dhe programit të PD-së, reputacionit në radhët e anëtarësisë së partisë dhe komunitetit ku jetojnë, kontributit profesional e politik parti apo shoqëri, kontributit në fushata elektorale dhe kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti. Vetëm kandidatët që kalojnë me sukses filtrin e Komisionit të Seleksionimit të Kandidatëve, mund ti nënshtrohen procesit sipas pikës 2 të këtij neni. Rregullat e detajuara mbi organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave, si dhe për procesin që realizohet prej tyre në përzgjedhjen paraprake të kandidatëve, përcaktohen me vendim të Kryesisë së PD”, shtohet në statut.
Duke pranuar se nuk ka punuar aq sa duhet me diasporën, PD fut si detyrim statutor edhe kuotën e përfaqësimit të diasporës në ekipin drejtues të saj.
"Diaspora të ketë përfaqësim të dedikuar deri në 15 % në të gjitha organet e Partisë: Kuvendin Kombëtar, Këshillin Kombëtar dhe Kryesinë Partisë. Gjithashtu propozohet që Diaspora të jetë e përfaqësuar në listat për deputet të PD deri në 15% të totalit të përgjithshëm të listës së kandidatëve. Për këtë qëllim, ngritja dhe organizimi i Degëve të PD jashtë vendit, nuk është parashikuar më si një mundësi, por si një detyrim i organizimit politik dhe elektoral të Partisë", citohet në dokument.
Një tjetër problematike të hershme, të konstatuar edhe në zgjedhjet pa garë të 23 majit për kryetarin, listave të anëtarësisë synohet t’i jepet zgjidhje statutore. PD vë gishtin në plagë dhe imponon përmes statutit dixhitalizimin dhe rifreskimin e listave të anëtarëve çdo dy vjet.
"Çështja e listave të anëtarësisë së PDSH ka qenë gjithmonë objekt debati. Për këtë qëllim propozohet dixhitalizimi i tyre i plotë, përditësimi të paktën një herë në 2 vjet, si dhe forcimi i rregullave për përpunimin dhe administrimin e këtyre të dhënave, me qëllim forcimin e garancive për mbrojtjen e të dhënave personale të anëtarëve të partisë", thuhet në dokument.
Mes ndryshimeve të tjera që prekin statutin e PD janë, rritja nga 30 në 40% i përfaqësimit të grave në lista si dhe parashikimi që anëtarët demokratë në këshillat bashkiakë të jenë edhe në kryesitë e degëve.
Statuti i ri votohet të shtunën në Kuvendin Kombëtar, ku po ashtu delegatët janë thirrur të votojnë listën me mbi 400 emra për rreth 200 vende në këshillin e Ri kombëtar, i cili më pas ka detyrën të votojë propozimet e Sali Berishës për ekipin e ri drejtues.
Risitë dhe ndryshimet kryesore të propozuara për ndryshimet në Statut, mund të përmblidhen si më poshtë:
1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj.15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente









