TIRANE- Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe i Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni  Ali Ahmeti shprehen kundër ndryshimeve të kufijve në Ballkan. Në përgjigje të deklaratës që kryeministri kosovar Hashim Thaçi, bëri pak ditë më parë, se në rast të ndryshimit të kufijve shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të mund të jetonin në një shtet të vetëm, Haxhinasto dhe Ahmeti deklarojnë se interesi i të gjithë shqiptarëve në rajon do të ishte integrimi në Bashkimin Europian.

HAXHINASTO:SHQIPTAREVE U INTERESON INTEGRIMI NE BE 
“Investimi që ka bërë populli i Kosovës për Kosovën e pavarur, europiane dhe integrimin në BE është i jashtëzakonshëm që ka kërkuar shumë sakrifica dhe duhet respektuar. Vlerësoj se interesi i shqiptarëve në Kosovë e rajon është të promovojë sa më shumë proceset integruese të të gjithë shteteve të rajonit, dhe në këtë perspektivë të shikojnë zgjidhjen problematike me të cilën përballen. Kështu do të shikoja dhe zgjidhjen e shumë cështjeve në Maqedoni, Preshevë por dhe në atë të veriut të Kosovës.”- deklaroi shefi i diplomacisë shqiptare në një intervistë për gazetaren shqiptare në Maqedoni Zerijeta Hajro Jajaga. Gjatë ditës së djeshme zoti Haxhinasto ndodhej në Shkup ku zhvilloi takime me zyrtarët e qeverisë maqedonase por dhe krerët e partive shqiptare në Maqedoni.

ALI AHMETI I BDI: DO ISHTE KOSTO E LARTE
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti shkon më tej duke thënë se ndryshimi i kufijve në Ballkan do të jenë me kosto të lartë për shqiptarët brenda rajonit. Ahmeti beson se deklarata e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, mund të jetë nxjerrë nga konteksti.
"Unë nuk e di ndoshta edhe nga kontesti mund të shkëputen gjëra. Unë jam takuar jo shumë larg por para dy-tre ditësh me Thaçin, as Kosova as shqiptarët në Maqedoni dhe në rajon nuk mendojnë për ndryshim të kufijve, sepse Kosova ka një axhendë tani pranimin si shtet nga shtetet tjera që të bëhet anëtare e plotfuqishme në OKB dhe ka axhendën e Ahtisarit për të ushtruar integritet dhe sovranitet të plotë si shtet dhe si mekanizma shtetërore. Në Maqedoni është Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët njihen në axhendën ndërkombëtare për dy çështje, Kosova për rrumbullakimin e plotë të dokumentit të Ahtisarit dhe shqiptarët e Maqedonisë të rrumbullakimit, jetësimit dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit, dalja nga kjo axhendë unë mendoj se është me kosto të lartë për shqiptarët brenda rajonit", citohet të ketë thënë Ahmeti pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto, raporton agjencia e lajmeve shqip ne Maqedoni, Ina.

CFARE DEKLAROI  HASHIM THACI
Më 15 mars kur në Kuvendin e Kosovës po diskutohej rezoluta kundër zhvillimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, Hashim Thaçi deklaroi : “Ua kam bërë të qartë në emër të qeverisë të gjithë miqve ndërkombëtarë mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me pretendime për ndryshimin e kufijve shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”.
(sg/shqiptarja.com)