Policia e shtetit i ka filluar herët për këtë vit “pastrimet e pranëverës”. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, pas përfundimit të mandatit të dy zv-dretorëve të këtij institucioni, janë zëvendësuar nga dy të tjerë. Duket se numri dy i policisë shqiptare do jetë një femër, Anila Hoxha, e cila mbante më parë funksionin e këshilltares në kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Të larguarit nga detyra janë; Ahmet Haxhia, zv.drejtor për trajnimet dhe Rasim Borishi, zv.drejtor për shërbimet mbështetëse.

Pas përfundimit të detyrës që mbanin deri sot, ish-zv.drejtori i përgjithshëm Ahmet Haxhia është emëruar në postin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirkastër, ndërsa Rasim Borishi u emërua drejtor i Administratës së Kufirit dhe Migracionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në postin e zvdrejtorit të Përgjitshëm për Trajnimet u emërua Anila Hoxha. Ndërkohë në postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Shërbimet mbështetëse është emëruar Dashamir Maçi, i cili mbante funksioninin e Drejtorit të Personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Ndërkohë i është rinovuar mandati dy zv/drejtorëve të tjerë; Agron Kuliçaj dhe drejtorit të kufirit Pëllumb Nako. Rinovimi i mandatit të tyre bëhet edhe për tre vjet të tjera.

Funksionin e Drejtorit të Personelit e ka marrë Jashar Vreka, i cili mbante postin e Drejtorit të Policisë së Elbasanit.