TIRANE - Vendosja e gjobave pa dijeninë e drejtuesve të automjeteve dhe pa i informuar fare ata duket se do të marrë fund. Kjo ishte kthyer në një praktikë mjaft problematike, kohët e fundit, që linte shumë hapësirë për abuzime.

Ministria e Brendshme ka vendosur të zgjidhë përfundimisht problemin duke kthyer në të pavlefshme gjobat që nuk i njoftohen drejtuesit të mjetit. Sipas drejtuesve të Policisë së Shtetit ky ndryshim synon që të arrihet një “unifikim në evidentimin në mungesë të kundërvajtjeve në fushën e qarkullimit rrugor dhe njoftimin e tyre”.

Sipas mënyrës se re të evidentimit në mungesë të kundërvajtjeve administrative në fushën e qarkullimit rrugor nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore, përjashtim përbëjnë rastet e pamundësisë për të arritur një mjet që lëviz me shpejtësi shumë të madhe; kalimi i një kryqëzimi me semafor të kuq; parakalimi në kthesë; zbulimi i një shkeljeje nga një funksionar ose një agjent, në bordin e një mjeti për transport publik, zbulimi i shkeljes në mungesë të shkelësit dhe të pronarit të mjetit.

Punonjësit e shërbimit të patrullës së përgjithshme, në të gjitha rastet e shkeljeve të parashikuara në nenin 157 të Kodit Rrugor, që kanë të bëjnë me heqjen dhe bllokimin e mjeteve, në procedurat e reja duhet të njoftojnë shërbimet e Policisë Rrugore për ushtrimin e kompetencave në bazë të Kodit Rrugor.

Plotësimi me mangësi i procesverbalit të konstatimit të shkeljes në mungesë, apo mosdorëzimi sipas afateve të përcaktuara, përbën shkelje të rëndë disiplinore.
Udhëzimi i ri i cili ka hyrë në fuqi që në muajin qershor, detyron agjentët e policisë së shtetit dhe ata rrugorë të njoftojnë kundravajtësit për shkeljet e kryera jo më vonë se 24 orë, nga koha e plotësimit të procesverbalit të shkeljes.

Me këtë udhëzim duhet të njihen të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, institucioni i Prefektit dhe kryetarët e bashkive që kanë kompetenca në këtë drejtim për zbatimin e Kodit Rrugor dhe ta respektojnë atë për të lehtësuar sa më shumë marrëdhëniet me qytetarët.

(ar/shqiptarja.com)