TIRANE- Ministria e Financave dhe ajo e drejtësisë kanë vendosur të ulin tarifat e shërbimit në gjykatë dhe prokurori. Kështu çdo qytetar që kërkon të marë një vërtetim apo të kryejë një padi civile në gjykatë, do të paguajë më pak nga sa paguante më parë. Vendimi i ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, tashmë konsiderohet si i hyrë në fuqi, pasi është publikuar në fletoren zyrtare. Për të gjitha vërtetimet apo dhe tërheqja e vendimeve nga ana e prokurorisë dhe gjykatës, tarifat janë bërë nga 4 dhe 8 mijë lekë të vjetra, në 2 mijë lekë të vjetra.

Ndërkohë për sa i përket padive civile, shuma financiare është ulur, ku nga 120 mijë lekë të vjetra, tarifa që tashmë do paguajnë qytetarët do jetë në 30 mijë lekë të vjetra. Për paditë e rrjedhura nga marëdhënie kontraktore dhe shkaktim dëmi mbi 100 000 lekë, tarika që do të paguhet është 30 mijë lekë të vjetra, plus 1 për qind të shumës financiare të shumës që kërkohet si dëmshpërblim. Më parë kjo taksë ishte në 3 për qind. Ndërkohë për paditë që lidhen me kërkimin e pensionit ushqimor dhe ato të rikthimit në punë, tarifa është hequr duke u bërë në zero.
 
Shkrimi u publikua sot (11.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)